Një numër i konsiderueshëm mjetesh luksoze janë vjedhur gjatë ditëve të fundit në Tiranë. Sipas gazetarit të Klan News, Besar Bajraktaraj, bëhet fjalë kryesisht për mjete të shtrenjta të modeleve të fundit. Konkretisht në kryeqytet para 3 ditësh janë vjedhur 2 Range Rover, në lagje të ndryshme. Dyshohet se këto mjete do përdoreshin nga grupe kriminale për krime të rënda. Blutë e Tiranës i kanë gjetur dy makinat e fundit që u vodhën, një në Fushë Krujë dhe tjetra në Thumanë. Makinat ishin të parkuara në rrugë.
Sipas gazetarit, hetuesit ende nuk kanë arritur në zbulimin e autorëve. Dyshohet se janë profesionistë dhe kanë kontakte me bandat kriminale me bazë në zonën Fushë Krujë dhe Kurbin. Në lidhje me këtë fenomen drejtori i Policisë së Tiranës, Tonim Vocaj, ka bërë një mbledhje urgjente me vartësit deri në 03:30 të mëngjesit, ku kanë analizuar provat në lidhje me grabitjet e fundit.
Bajraktaraj thotë se për vjedhjen e këtyre makinave autorët përdornin pajisje të reja të teknologjisë që arrijnë nëpërmjet valëve të lidhen me çelësin e pronarit edhe pa qenë në afërsi të makinës. Nëpërmjet valëve arrijnë të hapin dyert e makinave dhe me pas bëjnë ndezjen me butonin start.
/a.r