Pas Kuçovës, Shqipëria do të rindërtojë bazat ushtarake në zonën e Bizës në Tiranë, atë detare të Pashalimanit, Regjimentin e Helikopterëve në Farkë dhe Repartin Ushtarak 1001.
Ministria e Mbrojtjes ka hapur tenderin me vlerë mbi 178 milionë lekë për të nisur punimet në garnizonin stërvitor, Pajet-Bizë.
Referuar dokumenteve, baza në malësinë e kryeqytetit do të përdoret për strehimin e 1 mijë e 500 trupave ushtarakë dhe 100 mjeteve të ndryshme të luftimit.
Pak kilometra larg Bizës, në Farkë të Tiranës planifikohet të rinovohet baza ajrore. Instituti Gjeografik Ushtarak ka hapur tenderin me vlerë mbi 12 milionë lekë për Regjimentin e Helikopterëve.
Sipas dokumenteve që bashkëshoqërojnë tenderin, kompanitë e interesuara duhet të projektojnë infrastrukturën për akomodimin e helikopterëve Boeing Chinook me peshë 2.5 tonë.
Gjithashtu, në Farkë do të ndërtohen rrugët lidhëse, kuadratet e kufizuese për uljen dhe ngritjen e mjeteve ajrore dhe sistemet e ndriçimit.
Në përpjekje për t’iu afruar standardeve të NATOS, gati 5 milionë lekë janë vënë në dispozicion për projektimin e një godine 3-katshe për akomodimin e Komandës dhe Shtabit të Forcës Tokësore në repartin 1001.
Një tjetër tender në drejtim të infrastrukturës ushtarake është hapur për rinovimin e repartit ushtarak të Pashalimanit. Projekti parashikon që të investohet këto dy vite për ndërtimin e Godinës shumë-funksionale 3-katshe me sipërfaqe 400 metra katrorë, për qendrën e zhytjes dhe stërvitjes, si dhe për depo armatimi.
Gjatë përurimit të bazës ajrore të Kuçovës, kryeministri Edi Rama kërkoi nga NATO të investojë edhe në bazën detare të Porto-Romanos.
/f.s