Pas mbledhjes së qeverisë, ministri i Jashtëm, Igli Hasani, u pyet në lidhje me dënimin e Fredi Belerit nga GJKKO dhe nëse do të ketë ndonjë ndryshim të qasjes së Greqisë ndaj Shqipërisë sa i përket procesit të anëtarësimit në BE.
Hasani theksoi se qeveria e Shqipërisë respekton vendimit e gjykatave, mbështet punën për reformën në drejtësi dhe do të vazhdojë të kryejë detyrat për anëtarësim, duke mos komentuar më tej këtë çështje.
“Shqipëria, qeveria e Republikës së Shqipërisë do të vazhdojë të respektojë maksimalisht vendimet e gjykatave, do të vazhdojë të mbështesë punën për reformën në drejtësi dhe do të vazhdojë të kryejë të gjitha detyrat që ne kemi për rrugën drejt anëtarësimit europian. Çdo gjë tjetër është koment i panevojshëm”, tha Hasani.
Kujtojmë se ditën e djeshme, Gjykata e Posaçme dënoi me 2 vite burg për shit-blerje votash Fredi Belerin. Pas vendimit reagoi Ministria e Jashtme e Greqisë, sipas së cilës, dënimi i Belerit krijon shqetësim për objektivitetin e procesit gjyqësor ndaj tij.
“Dënimi i sotëm nga një gjykatë shqiptare ndaj kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri, shton shqetësimet për objektivitetin e procesit. Dhe kjo për shkak të zbehjes së prezumimit të pafajësisë për shkak të deklaratave të jashtme që mbrojnë dënimin dhe për shkak se dënimi përfundimtar është dukshëm joproporcional në raport me veprën penale të pretenduar”, tha ministria greke.
Beleri i fitoi zgjedhjet për Bashkinë e Himarës, por nuk u betua për shkak se ndodhet në paraburgim. Kjo çështje ka shkaktuar edhe tensione diplomatike mes Shqipërisë dhe Greqisë, e cila ka vendosur veton e saj për çeljen e kapitujve për anëtarësim në BE.
/a.r