Në seancën e sotme ndaj ish-ministrit Fatmir Mediu, gjykata relatoi një letër-porosi të mbërritur nga autoritetet amerikane të drejtësisë. Përmes saj kërkohej informacion shtesë për kërkesën e palës shqiptare për të pyetur 5 shtetas amerikanë si dëshmitarë në gjyqin ndaj Mediut.
Drejtësia amerikane kërkonte të dinte faktet objekt akuze për të cilën do të pyeteshin shtetasit e saj, pse janë të domosdoshëm për procesin, statusin e tyre, a pranohet pyetja përmes video konferencës dhe a do t’ju lexohen të drejtat procedurale.
Në seancën e radhës palët në proces do të paraqesin informacionin shtese të kërkuar, duke dhënë dakordësi për kryerjen e video konferencës në datën 12 maj, të paraplanifikuar nga pala amerikane.