Historiani dhe filozofi grek, Constantinos Filis ka bërë një koment në gazetën “Kathimerini” për çështjen e dënimit të kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri. Në shkrimin e tij të gjatë me titullin “Dënimi i Belerit, një thirrje zgjimi” ai thotë se kjo ngjarje duhet të shërbejë si arsye për ndryshimin e politikës së jashtme të Greqisë në raportet me Shqipërinë, por edhe më gjerë ndaj Ballkanit Perëndimor.
Autori kujton se pas pak ditësh do të bëhet një vit nga ekspozita me vepra dhe skulptura mikse të kryeministrit shqiptar, Edi Rama, në Athinë. Në atë kohë, sipas tij, kishte optimizëm se Shqipëria do të pranonte propozimin e Greqisë për të dërguar në Hagë çështjen e kufirit të zonave detare midis dy vendeve, duke kapërcyer pengesat e ngritura pas anulimit të marrëveshjes të vitit 2008 nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë. Ai thotë se në atë kohë kishte një qasje të kujdesshme të Athinës ndaj Kosovës, por në përgjithësi kishte një mbështetje të Greqisë për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
“Shqipëria, është ndikuar prej disa vitesh nga vende të veçanta, padyshim që i përket sferës së influencës së Shteteve të Bashkuara, por edhe shteteve evropiane, si Gjermania dhe Italia, por edhe Turqia kanë një ndikim të fortë në Tiranë. Me sa duket është Berlini dhe Roma që i japin Ramës besimin se nëse është e nevojshme, ai do të anashkalojë çdo veto greke, ose më mirë, për ta thënë më troç, se Greqisë do t’i bëhet presion që të mos bllokojë negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë në BE” – shkruan Filis.
Analisti grek thotë se në këtë linjë edhe çështjes “Beleri”, Rama i ka mëshuar idesë se “i përket sistemit të drejtësisë” që ka mbështetjen e amerikanëve dhe evropianëve dhe që po merr më shumë pushtet se legjislativi dhe ekzekutivi.
Në fund të fundit, çështja Beleri është një alarm zgjimi për diplomacinë greke në raport me Ballkanin Perëndimor dhe ekuilibrat dinamikë dhe të rinj që mbizotërojnë. Ne duhet të kemi një plan dhe një vizion për të rikuperuar në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe universale në rajon, sepse konkurrentët tanë tashmë janë vendosur strategjikisht në tabelën e shahut dhe jo vetëm nga Lindja” – mbyllet shkrimi në Kathimerini.
/f.s