Sekretari për Marrëdhëniet me Publikun në PD, Edvin Kulluri ka ironizuar ndryshimet e bëra së fundmi në kryesinë e Rithemelimit ku u përfshinë edhe deputetët e ‘grupit’ të Gazment Bardhit, me këtë të fundit dhe Gjekmarkajnë nënkryetar.
Nëpërmjet një reagimi të gjatë në rrjetin social Facebook, Kulluri shkruan se , “ata e dinë dhe vetë që kjo është “rrugicë qorre”.
“Kooptimi i djeshëm i Bardhit dhe Gjekmarkajt nga Sali Berisha kaloi përmes një debati 3 orë pa votë në kryesinë e Rithemelimit dhe me kundërshtinë publike të disa anëtarëve të saj dhe Këshillit Kombëtar. Biles argumenti i Zëdhënëses se ky “është vendim që e kërkon Kryetari” ka qenë argumenti me absurd por efikas që u mbylli gojën atyre që nuk ishin dakord. Se helbete, “këto punë i di Doktori”, shkruan ai.
Sipas tij, bashkimi i opozitës në një formacion politik, koalicion apo listë të përbashkët është gjeja më normale që duhet të ndodhë një vit e kusur para zgjedhjeve të 2025 ,por bashkimi duhet të ketë një modalitet legjitim dhe duhet të ketë një baze morale politike.
Gjithçka tjetër që bëhet pa parime është Pazar, ka thënë Kulluri.
“Elektorati i djathte sot e prej kohesh ndahet ne 3 kategori: Rithemelimi, PD zyrtare dhe votuesit indiferentë ndaj të dyja palëve. Pa këta të 3-et fitorja është iluzion që shitet nga Berisha si realitet përmes përrallave me mbret nga ballkoni” shkruan ai.
Sakaq ai shton se, “shumica e atyre që ulën kokën dje në Kryesi e Këshill Kombëtar e votuan si dele siç tha Endira Bushati, pas urdhrit të Doktorit për t’u përqafuar me Gazin, këtë e dinë mirë. E dinë dhe Gazi me shokë e shoqe që fitorja nuk vjen prej bashkimeve mekanike pa asnjë bosht moral e politik”.
/a.r