Kuvendi i Shqipërisë ka ngritur strukturën e posaçme për dorëzimin dhe administrimin e formularëve të vetëdeklarimit, duke hartuar dhe listën e zyrtarëve të lartë që do të deklarojnë të dhënat në lidhje me ligjin e Dekriminalizimit. Në listën tashmë të publikuar në faqen zyrtare të Kuvendit janë të renditur 109 zyrtarë, përfshi dhe ata të Kuvendit, si dhe të institucioneve që zgjidhen nga Kuvendi, të cilët do të japin të dhënat e tyre në lidhje me pastërtinë e figurës. Në këtë listë janë zyrtarë të tillë, si Kryeprokurori, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, kreu i ILDKPKI, kryetarja e KQZ dhe anëtarët e këtij komisioni, etj. Vendimet e dënimeve jo përfundimtare, masat e sigurisë dhe urdhrat e kërkimit ndërkombëtar apo masat e dëbimit të të cilave, sipas nenit 2 të ligjit, sjellin zbatimin e ndalimeve të ligjit. Sipas ligjit, Kuvendi duhet të miratojë njëkohësisht edhe modelin e formularit të vetëdeklarimit. Duhet të miratojë Kuvendi rregullat e detajuara dhe afatet për plotësimin, dorëzimin, administrimin dhe publikimin e vetëdeklarimeve si dhe marrjen e masave për ndalimeve të parashikuara nga ligji, si dhe formularin e kërkesës për verifikimin paraprak. Kuvendi trajton si subjekte jo vetëm deputetët, por njëkohësisht dhe funksionarët e zgjedhur në institucionet kushtetuese apo institucionet e krijuara me ligj, pra ata të cilët janë zgjedhur nga Kuvendi. Lidhur me këtë çështje, paraditen e djeshme, Kryetari i Parlamentit, Ilir Meta, priti në një takim Prokurorin e Përgjithshëm Adriatik Llalla, për të diskutuar në lidhje me zbatimin me ligjit të Dekriminalizimit. Ka qenë kryeprokurori Llalla, i cili ka shkuar të takojë në zyrë kryeprokurorin Meta për të garantuar zbatimin e këtij ligji. Kujtojmë se disa ditë më parë, Llalla tha se këtë javë do të fillojë zbatimi i ligjit për të kontrolluar zyrtarët e lartë. Gjithashtu në Prokurorinë e Përgjithshme është krijuar edhe struktura e posaçme për Dekriminalizimin.
Vetëdeklarimi
Funksionarët në institucionet e administratës publike do të duhet që të nxitojnë për plotësimin e formularit të dekriminalizimit, pasi ligji i ri nuk lë shumë kohë. Kjo, për shkak se brenda 15 ditëve, këto institucione do të duhet që të ngrenë strukturat e tyre për administrimin e formularëve. Tashmë formulari dhe mënyra e plotësimit të tij janë botuar në Fletore Zyrtare dhe data 4 maj pritet që të shënojë dhe nisjen e këtij procesi për verifikimin e zyrtarëve të administratës apo të të zgjedhurve si kryebashkiakë, këshilltarë, deputetë, ministra etj. Zyrtarët e lartë të shtetit dhe deputetët e Kuvendit do të japin deklaratat në formular, që janë të përfshirë në 3 kapituj, ku ata duhet t’u përgjigjen 8 pyetjeve në lidhje me pastërtinë e figurës së tyre. Në rast se disa të dhëna nuk janë plotësuar, atëherë formulari i kthehet pas personit përgjegjës dhe brenda një afati treditor duhet ta dërgojë të plotësuar. Nëse formulari sërish nuk është i plotësuar apo ka gabime të tjera, atëherë automatikisht konsiderohet si refuzim për të plotësuar këtë formular, tashmë të miratuar si ligj. Zyrtarët duhet t’u përgjigjen pyetjeve të tilla nëse kanë qenë më parë të dënuar nga Gjykata, nëse kanë jetuar jashtë Shqipërisë, nëse janë dëbuar nga shteti ku kanë jetuar, nëse kanë qenë ndonjëherë në kërkim ndërkombëtar etj. Sipas vendimit të Kuvendit, nëse konstatohet se formulari i vetëdeklarimit është i paplotësuar apo pjesë të caktuara të tij janë të paplotësuara, struktura apo personi përgjegjës njofton subjektin dhe ia kthen atë mbrapsht, duke i caktuar edhe afatin e ri pesëditor, brenda të cilit duhet të dorëzohet pa të meta. Nëse subjekti nuk dorëzon formularin e vetëdeklarimit, të plotësuar sipas konstatimeve fillestare të strukturës apo personit përgjegjës, ai konsiderohet se nuk e ka dorëzuar formularin e vetëdeklarimit.
Shqip