Ibush Vokshi/ Ka lindur në Kosovë. Familja e tij u vendos në Qerret të Durrësit që para Luftës së Dytë Botërore. Ibushi mbaroi Normalen e Elbasanit në vitin 1942 dhe më pas u rreshtua në formacionet partizane të Zonës së Kurveleshit. Pas çlirimit studioi në ish-Jugosllavi në Shkollën e Aviacionit. Në vitin 1947, ndërsa po jepte provimin për pilot, avioni i tij pësoi katastrofë ajrore në afërsi të Ljubjanës, Slloveni. Është varrosur në Lubjanë.
Qemal Sadedin Mërtiri/ Ka lindur në vitin 1929 në Tragjas të Vlorës. Në vitin 1942 u rreshtua në formacionet partizane të Brigadës së V-të Sulmuese. Në mars të vitit 1945 filloi studimet në Shkollën e Mesme Ushtarake “Skënderbej”, pas përfundimit të së cilës shkoi në ish-Bashkimin Sovjetik për pilot, në Novosimbirsk. Në periudhën e studimeve kryente detyrën e komandantit të kursit. Në 12 tetor 1951, pësoi katastrofë ajrore në afërsi të Novosibirskut. U varros në Novosimbirk.
Myrteza Islam Xhani/Ka lindur në vitin 1939. Islami filloi studimet në Shkollën e Mesme Ushtarake “Skënderbej”, ndërsa më pas në ish-Bashkimin Sovjetik për pilot.Vdiq papritur në vitin 1957 gjatë një shëtitje dhe larje në lumë të organizuar nga shokët e kursit në fundjavë. Rrethanat kanë mbetur misterioze.
Vasil Nikolla Trasha/ Ishte një nga pionierët e Aviacionit Shqiptar. Është lindur në vitin 1926 në Dishnicë të Korçës. Gjatë LANÇ u rreshtua në radhët e Batalionit “Hakmarrja” e të Brigadës së IV Sulmuese. Në vitin 1945 filloi studimet për pilot në ish-Jugosllavi, por i përfundoi ato në Harkov (ish-Bashkimin Sovjetik), për pilot reaktivi. Ka kryer detyra të ndryshme deri atë të komandantit të skuadriljes. Ra në krye të detyrës më 23.03.1958, ndërsa fluturonte me avion MIG-15 mbi rajonin e Fier-Sheganit të Lushnjës. Me vendim të Këshillit të Ministrave Nr.228, datë 22.04.1996 është shpallur “Dëshmor i Atdheut”. Prehet në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit në Korçë.
Hektor Eftim Lako/ Ka lindur më 01.09.1929 në Përmet. Ka qenë pjesëmarrës në formacionet partizane të zonës. Pas Çlirimit të vendit kreu studimet për pilot reaktivi në ish-Bashkimin Sovjetik. Ka kryer detyra të ndryshme deri në atë të komandantit të katërshes në Regjimentin e Kuçovës. Ra në krye të detyrës më 23.03.1962 në rajonin e Kuçovës. Me vendim të Këshillit të Ministrave Nr.228, datë 22.04.1996 është shpallur “Dëshmor i Atdheut”. Prehet në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit në Tiranë.
Sokrat Gori Basha/ Ka lindur në Mozhaj të Lushnjës dhe ka banuar në Kamëz të Tiranës. Ka kryer studimet për pilot reaktivi në ish-Bashkimin Sovjetik. Kryente detyrën e komandantit të ekuipazhit në Regjimentin e Rinasit. Ra në krye të detyrës më 21.03.1963 ndërsa kryente fluturime natën në rajonin Prezë-Krujë gjatë përgatitjes për të marrë një klasë më të lartë fluturimi. Me vendimin të Këshillit të Ministrave Nr. 228, datë 22.04.1996 është shpallur “Dëshmor i Atdheut”. Prehet në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit në Lushnjë.
Niko Selman Hoxha/ Ka lindur në vitin 1926 në fshatin Tragjas të Vlorës. Ai mbaroi studimet për pilot dhe kuadër drejtues në ish-BRSS. Gjatë karrierës ushtarake ka kryer detyra të ndryshme deri në Komandant Regjimenti. Ishte Komandanti i Regjimentit te parë të Aviacionit Luftarak Shqiptar, që u krijua në Kuçovë në vitin 1955 dhe më pas i Regjimentit të Rinasit. Niko Hoxha ishte pilot i Klasit të Parë. Më 20.11.1965, ra në krye të detyrës, ndërsa fluturonte me avion MIG-19, gjatë një ushtrimi mbi rajonin e regjimentit. Me vendim të Këshillit të Ministrave Nr.228, datë 22.04.1996 është shpallur “Dëshmor i Atdheut”. Prehet në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit në Tiranë.
Stilian Vani Tanku/Ka lindur më 15.10.1943 në Korçë dhe ka banuar në Kuçovë. Ka mbaruar Akademinë e Forcave Ajrore për pilot reaktivi dhe kryente detyrën e komandantit të ekuipazhit në Regjimentin e Kuçovës. Pësoi avari të rëndë gjatë fluturimit 27.09.1967, ndërsa fluturonte me avion MIG-17 mbi rajonin e Elbasanit. Pas katapultimit, që e dëmtoi rëndë fizikisht nuk mundi të mbijetonte. Me vendim të Këshillit të Ministrave Nr.228, datë 22.04.1996 është shpallur “Dëshmor i Atdheut”. Prehet në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit në Tiranë.
Jovan Llazar Kacorri/ Ka lindur më 05.08.1940 në fshatin Boboshticë të Korçës. Mbaroi Akademinë e Forcave Ajrore për pilot në Vlorë. Humbi jetën gjatë një fluturimi stërvitor, ku avioni i tij pësoi katastrofë ajrore në afërsi të qytetit të Fierit. Më vendim të Bashkisë së Vlorës Nr.132, datë 09.08.1994 është shpallur “Dëshmor i Atdheut”. Prehet në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit në Korçë.
Muharrem Murat Hida/ Ka lindur në vitin 1938 në fshatin Qinam të Tiranës. Mbaroi Akademinë e Aviacionit në Vlorë dhe gjatë karrierës ushtarake kreu detyra të ndryshme si komandant ekuipazhi e çifti. Më 05.09.1970 humbi jetën në një katastrofë ajrore në afërsi të Lushnjës ndërsa fluturonte me avionin AN-2, së bashku me pilotin Refit Jazo. Me vendim Nr.228 të Këshillit të Ministrave datë 22.04.1996 është shpallur “Dëshmor i Atdheut”. Prehet në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit në Tiranë.
Refit Asllan Jazo/ Ka lindur në vitin 1930 në fshatin Dukat të Vlorës. Mbaroi studimet për pilot në ish-Bashkimin Sovjetik. Gjatë karrierës ushtarake ka kryer detyra të ndryshme si komandant ekuipazhi e çifti. Më 05.09.1970 humbi jetën në një katastrofë ajrore në rajonin e Lushnjës së bashku me pilotin Muharrem Hida. Me vendim të Këshillit të Ministrave Nr.228 datë 22.04.1996 është shpallur “Dëshmor i Atdheut”. Prehet në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit në Tiranë.
Kaso Salo Petoshati/ Ka lindur në qytetin e Vlorës. Studioi për pilot në ish-Bashkimin Sovjetik. Në karrierën e tij ushtarake punoi si instruktor në Akademinë e Aviacionit në Vlorë. Më 06.05.1971 gjatë një fluturimi stërvitor natën, ra në krye të detyrës së bashku me Shyqyri Ballën, shefin e Shtabit të Akademisë. Me vendim të Bashkisë së Vlorës Nr.132 datë 09.08.1994 është shpallur “Dëshmor i Atdheut”. Prehet në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit në Vlorë.
Shyqyri Azis Balla/ Ka lindur në fshatin Orenjë të Elbasanit. Në vitin 1950 mbaroi Shkollën e Mesme Ushtarake “Skënderbej” e më pas u kualifikua për aviodrejtues në ish-Bashkimin Sovjetik. Kreu detyrën e aviodrejtuesit në Regjimentin e Kuçovës. Në vitet 1966-1968 mbaroi Akademinë e Shtabit të Përgjithshëm, pas së cilës u emërua Shefi Shtabit i Akademisë së Aviacionit. Ra në krye të detyrës më datë 06.05.1971 gjatë një fluturimi stërvitor natën së bashku me pilotin Kaso Petoshati. Me vendim të Këshillit të rrethit Vlorë datë 24.11.1999 është shpallur “Dëshmor i Atdheut”. Prehet në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit në Tiranë.
Hazbi Ramadan Serani/ Ka lindur më 01.03.1944 në Çorrush të Fierit. Mbaroi Akademinë e Forcave Ajrore për pilot reaktivi dhe ka kryer detyra të ndryshme deri në zëvëndëskomisar regjimenti.Ra në krye të detyrës me 04.10.1972 mbi rajonin e Ballshit, ndërsa fluturonte me avion MIG-19 për kryerjen e detyrës luftarake. Gjatë qitjes, për shkak të një defekti teknologjik të një predhe avioni pësoi katastrofë. Më vendim të Këshillit të Ministrave Nr.228, datë 22.04.1996 është shpallur “Dëshmor i Atdheut”. Prehet në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit në Tiranë.
Islam Mani/ Ka lindur në qytetin e Pogradecit. Mbaroi Akademinë e Aviacionit për pilot. Gjatë karrierës ushtarake kreu detyrën e komandantit të ekuipazhit në Akademinë e Aviacionit në Vlorë. Në nëntor të vitit 1973, gjatë një fluturimi stërvitor me avionin JAK-18 pësoi katastrofë ajrore në Malin e Shushicës. Me vendim të Bashkisë së Vlorës Nr.132, datë 09.08.1994, është shpallur “Dëshmor i Atdheut”. Prehet në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit në Pogradec.
Bego Isa Hoxha/ Ka lindur në vitin 1944 në fshatin Tërbaç të Vlorës. Ka mbaruar Akademinë e Forcave Ajrore në vitin 1966 për pilot reaktivi dhe ka kryer detyrën e komandantit të ekuipazhit ne Regjimentin e Rinasit. Më datë 07.03.1974 pësoi katastrofë ajrore ndërsa po fluturonte në rajonin e Fushë-Krujës me avionin MIG-19. Me vendim të Këshillit të Ministrave Nr. 228, datë 22.04.1996 është shpallur “Dëshmor i Atdheut”. Prehet në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit në Tiranë.
Dhimitër Spiro Robo/ Ka lindur në vitin 1949 në Shtikë të Kolonjës. Ka mbaruar Akademinë e Forcave Ajrore për pilot reaktivi dhe ka kryer detyrën e komandantit të ekuipazhit me avionin MIG-21 në Regjimentin e Rinasit. Më 12.06. 1974, ndërsa po fluturonte mbi rajonin e Ballshit, si pasojë e një defekti teknologjik, avioni MIG-21 që ai drejtonte pësoi katastrofë ajrore. Me vendim të Këshillit të Ministrave Nr.228, datë 22.04.1996.
Veiz Halil Kovaçi/ Ka lindur në vitin 1949 në Gjakovicë të Skraparit. Ka mbaruar Akademinë e Forcave Ajrore për pilot reaktivi. Kryente detyrën e komandantit të ekuipazhit në Regjimentin e Kuçovës. Më 05.08.1974 ra në krye të detyrës, ndërsa po ngrihej me avion MIG-19, i cili pësoi një defekt të rëndë teknik. U shpall “Dëshmor i Atdheut” me vendim të Këshillit të Ministrave Nr. 228, datë 22.04.1996 Prehet në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit në Skrapar.
Sefedin Hasan Tomçini/ Ka lindur në Polozhan të rrethit të Dibrës në vitin 1942. Ka kryer studimet për pilot reaktiv në ish-Bashkimin Sovjetik dhe fluturonte me avion MIG-19. Ka kryer detyra të ndryshme deri në komisar skuadrilje. Ra në krye të detyrës më 07.06.1977 pas një katastrofe ajrore ndërsa fluturonte afër Karbunarës, në Lushnjë. Me vendim të Këshillit të Ministrave Nr. 228, datë 22.04.1996 është shpallur “Dëshmor i Atdheut”. Prehet në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit në Tiranë.
Vasil Thoma Noni/ Ka lindur në 01.10.1951 në Sofratikë të Gjirokastrës. Ka mbaruar Akademinë e Forcave Ajrore për pilot reaktivi dhe kryente detyrën e komandantit të ekuipazhit në Regjimentin e Rinasit me avion MIG-19. Ra në krye të detyrës me 15.08.1978 me avion MIG-19, në rajonin e Lezhës si rezultat i një defekti teknologjik. Me vendim të Këshillit të Ministrave Nr.228, datë 22.04.1996 është shpallur “Dëshmor i Atdheut”. Prehet në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit në Gjrokastër.
Shpëtim Selman Sula/ Ka lindur më 29 dhjetor 1951 në Shkodër. Ka mbaruar Akademinë e Forcave Ajrore për pilot reaktivi dhe ka kryer detyrën e komandantit të ekuipazhit në Regjimentin e Rinasit. Ra në krye të detyrës më 30.08.1979, ndërsa po kthehej nga fluturimi me avion MIG-19. Gjatë uljes avioni pati defekt të rëndë teknik. Me vendim të Këshillit të Ministrave Nr.228, datë 22.04.1996 është shpallur “Dëshmor i Atdheut”. Prehet në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit në Tiranë.
Armando Liman Gjoka/ Lindi më 1 prill të vitit 1954 në Tiranë. Pasi kreu shkollën e mesme përfundoi studimet në Akademinë e Forcave Ajrore në Vlorë për pilot reaktivi. Ka kryer detyrën e komandantit të ekuipazhit në Regjimentin e Rinasit. Më 29.03.1980 ndërsa fluturonte me një avion reaktiv dyvendësh MIG-15, ra në krye të detyrës së bashku me pilotin Sabri Toçi. Me vendim të Këshillit të Ministrave Nr.228, datë 22.04.1996 është shpallur “Dëshmor i Atdheut”. Prehet në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit në Tiranë.
Sabri Shefki Toçi/ Ka lindur më 12 tetor 1942 në Cernen të rrethit të Dibrës. Ka mbaruar Akademinë e Forcave Ajrore për pilot reaktivi dhe ka fluturuar me avionin MIG-19, duke kryer detyra të ndryshme deri në komandant skuadrilje. Ra në krye të detyrës me 29.03.1980, ndërsa fluturonte me një avion reaktiv dyvendësh MIG-15, së bashku me pilotin Armando Gjoka. Me vendim të Këshillit të Ministrave Nr.228 , datë 22.04.1996 është shpallur “Dëshmor i Atdheut”. Prehet në Varrezat e Dëshmorëve në Tiranë.
Luto Refat Sadikaj/ Ka lindur më 1 shkurt 1944 në fshatin Çorrush të Mallakstrës. Ka mbaruar Akademinë e Forcave Ajrore në Vlorë, për pilot reaktivi. Ai kreu detyra të ndryshme si komandues deri në detyrën e Komisarit të Regjimentit. Ra në krye të detyrës me datë 29.03.1982 ndërsa po ngrihej për fluturim me avion MIG-21. Me vendim të Këshillit të Ministrave Nr. 228 datë 22.04.1996 është shpallur “Dëshmor i Atdheut”. Prehet në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit në Tiranë.
Ndue Mëhill Logu/Ka lindur më 8 maj 1940 në Brashtë të Dukagjinit. Ka mbaruar Shkollën e Mesme Ushtarake “Skënderbej”, e më pas për pilot helikopteri në ish-Bashkimin Sovjetik. Ka kryer detyra të ndryshme si pilot me Klasin Dytë, deri komandant skuadrilje e Zëvëndëskomandant Regjimenti. Në vitin 1983 mbaroi studimet në Akaeminë e Mbrojtjes, pas së cilës u emërua Shef Armatimi për repartin. Vdiq në krye të detyrës me 13 shtator 1986 gjatë drejtimit të qitjeve me granata dore, ku u hodh mbi një granatë për të shpëtuar jetën e të pranishëmve në poligon. Me vendim të Këshillit të Ministrave Nr. 258, datë 22.04.1996 është shpallur “Dëshmor i Atdheut”. Prehet në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit në Tiranë.
Haki Abaz Skuqi/ Ka lindur më 01.03.1958 në Lekaj të Kavajës. Ka kryer Akademinë e Forcave Ajrore për pilot reaktivi dhe kryente detyrën e komandantit të ekuipazhit me avion MIG-19 në Regjimentin e Kuçovës. Ra në krye të detyrës me 22.10.1986 me avion MIG-19 gjatë një fluturimi në çift, ku pësoi avari të rëndë. Është shpallur “Dëshmor i Atdheut” me vendim të Këshillit të Ministrave Nr.228, datë 22.04.1996. Prehet në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit në Tiranë.
Jorgji Fane/ Ka lindur më 03.07.1950 në fshatin Podë të rrethit të Kolonjës. Mbaroi Akademinë e Aviacionit për teknik avioni në Vlorë. Ka punuar si teknik avioni në Regjimentin e Rinasit e më pas në atë të Gjadrit. Ra në krye të detyrës në verën e vitit 1989, ndërsa po kryente punime në avionin e tij. Me vendim të Këshillit të Ministrave Nr. 228 datë 02.04.1996 është shpallur “Dëshmor i Atdheut”. Prehet në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit në Tiranë.
Agron Hasaf Galanxhi/ Ka lindur më 11 janar të vitit 1939 në Gjirokastër. Studioi për pilot në ish-BRSS. Gjatë karrierës ushtarake kreu detyra të ndryshme deri zëvendëskomandant skuadrilje. Ishte pilot i Klasit të Dytë. Ra në krye të detyrës në katastrofën ajrore të 22 nëntorit 1989 në rajonin e Himarës, në përpjekje për të shpëtuar një grup studentësh e pedagogësh të Institutit të Lartë Bujqësor, që kishin pësuar një aksident automobilistik. Me vendim të Këshillit të Ministrave Nr. 228, datë 22.04. 1996 është shpallur “Dëshmor i Atdheut”. Prehet në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit në Tiranë.
Enver Osman Haka/ Ka lindur më 14 prill të vitit 1956 në Petrelë të Tiranës. Mbaroi Akademinë e Forcave Ajrore për teknik aviacioni dhe ka kryer detyrën e teknikut-fluturues në Regjimentin e Farkës me helikopterët Mi-4. Ra në krye të detyrës në katastrofën ajrore të 22 nëntorit 1989 në rajonin e Himarës. Me vendim të Këshillit të Ministrave Nr. 228, datë 22.04.1996 është shpallur “Dëshmor i Atdheut”. Prehet në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit në Tiranë.
Pandeli Jorgo Zhupa/ Ka lindur më 15 shtator të vitit 1946 në Jergucat të Gjirokastrës. Ka mbaruar Akademinë e Forcave Ajrore dhe ka kryer detyrën e teknikut-fluturues me helikopterin Mi-4. Gjatë një misioni humanitar më datën 22.11.1989, ra në krye të detyrës. Me vendim të Këshillit të Ministrave Nr. 228, datë 22.04.1996, është shpallur “Dëshmor i Atdheut”.Prehet në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit në Tiranë.
Tafil Njazi Agai/ Ka lindur më 10 janar të vitit 1950 në Gjuzë të Tepelenës. Ka mbaruar Akademinë e Forcave Ajrore për pilot dhe ka kryer detyra të ndryshme deri komisar skuadrilje. Ra në krye të detyrës me 22.11.1989, së bashku me pilotët dhe teknikët e tjerë që shkuan në ndihmë të studentëve e pedagogëve të Institutit të Lartë Bujqësor. Me vendim të Këshillit të Ministrave Nr. 228, datë 22.04.1996 është shpallur “Dëshmor i Atdheut”. Prehet në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit në Tiranë.
Vangjel Vangjel Postoli/ Ka lindur më 19 mars të vitit 1940 në Berat. Ka mbaruar studimet në ish-Bashkimin Sovjetik për pilot dhe Akademinë e Shtabit të Përgjithshëm në Tiranë. Kreu detyra të ndryshme deri në atë të Zëvendëskomandantit të Regjimentit. Ishte pilot i Klasit të Dytë me helikopter. Ra në krye të detyrës me 22.11.1989 së bashku me pilotët e teknikët e tjerë që shkuan në ndihmë të studentëve e pedagogëve të Institutit të Lartë Bujqësor, pas një aksidenti automobilistik që ata kishin pasur në Llogara, Himarë. Me vendim të Këshillit të Ministrave Nr. 228, datë 22.04.1996 është shpallur “Dëshmor i Atdheut”. Prehet në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit në Tiranë.
Veledin Delo Resuli/ Ka lindur më 26 nëntor 1950 në Vlorë. Mbaroi Akademinë e Forcave Ajrore në Vlorë për pilot dhe kryente detyrën e komandantit të ekuipazhit me helikopter. Ra në krye të detyrës në katastrofën ajrore të datës 22.11.1989 në Himarë së bashku me ekuipazhin. Me vendim të Këshillit të Ministrave Nr.228, datë 22.04.1996 është shpallur “Dëshmor i Atdheut”. Prehet në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit në Tiranë.
Eduart Qirjako Kostëdhima/ Ka lindur më 10.11. 1968 në Piqeras të Sarandës. Ka mbaruar Akademinë e Forcave Ajrore për pilot reaktivi dhe kryente detyrën e komandantit të ekuipazhit në Regjimentin e Kuçovës. Ra në krye të detyrës me 22.03.1991, së bashku me pilotin Fluturim Molla, ndërsa fluturonte me avionin reaktiv dy vendësh MIG-15, afër rajonit të Stan-Karbunarës në Lushnjë. Me vendim të Këshillit të Rrethit të Durrësit Nr.49, datë 23.12.1994 është shpallur “Dëshmor i Atdheut”. Prehet në Varrezate Dëshmorëve të Kombit në Durrës.
Fluturim Qani Molla/ Ka lindur më 17.08.1958 në Torovec të Korçës. Ka kryer Akademinë e Forcave Ajrore për pilot reaktivi. Ka shërbyer në Regjimentin e Kuçovës në detyrat e komandantit të ekuipazhit e të katërshes. Ra në krye të detyrës së bashku me pilotin Eduart Kostëdhima, ndërsa fluturonin me avionin reaktiv dy vendësh MIG-15. Me vendim të Këshillit të Ministrave Nr.228, datë 22.04.1996 është shpallur “Dëshmor i Atdheut”. Prehet në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit në Korçë.
Idriz Ibrahim Hoxha/ Ka lindur më 15 korrik të vitit 1945 në Dajç të Shkodrës. Kreu Akademinë e Forcave Ajrore për pilot reaktivi. Ka shërbyer në Regjimentin e Rinasit ku ka kryer detyra të ndryshme, deri Komandant Regjimenti. Më datë 20.08.1993, ra në krye të detyrës, ndërsa fluturonte me avion MIG-19 mbi Detin Adriatik, në rajonin e Divjakës. Me vendim të Bashkisë së Tiranës Nr. 8090/1 është shpallur “Dëshmor i Atdheut”. Prehet në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit në Tiranë.
Jani Prokop Tarifa/ Ka lindur më datë 05.12.1958 në fshatin Hundëkuq të rrethit Gjirokastër. Mbaroi Shkollën e Mesme Ushtarake “Skënderbej” në vitin 1977, në vitin 1981 përfundoi studimet në Shkollën e Lartë të Aviacionit në Vlorë, ku u titullua Pilot Gjuajtës Bombardues për avionët reaktivë. Që nga data 15.02.1984 e deri në fund të jetës së tij Jani punoi në Regjimentin e Rinasit,- sot Baza Ajrore, ku ka kryer detyra të ndryshme deri në atë të komandantit të katërshes.Më 16 shtator 2004, ra në krye te detyrës, pasi avioni MIG-19 humbi komandimin dhe pësoi katastrofë. Me propozim të Ministrit të Mbrojtjes zotit Pandeli Majko, me vendim të Qeverisë Shqiptare, piloti 46 vjeçar Jani Tarifa, i cili ra në krye të detyrës u shpall “Dëshmor i Atdheut”. Prehet në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit, në Tiranë.
Muhamet Bisho Hasmuja/ Është lindur më 5 tetor 1959 në Grizhë të Shkodrës. Pas përfundimit të Shkollës së Lartë Ushtarake, në vitin 1984 u emërua komandant i Togës Radio-teknike, në Regjimentin e Artilerisë Kundërajrore në Shkodër. Ra në krye të detyrës së komandantit të Baterisë Kundërajrore më 12 mars 1997. Me dekret të Presidentit të Republikës Nr.1985, datë 08.09.1997, iu dha Medalja e Artë e Shqiponjës, për “Besnikëri, përkushtim, disiplinë ndaj detyrës, që çoi deri në vetëmohim për ruajtjen e objektit ushtarak”. Me vendim të Këshillit të Rrethit Shkodër Nr.04, datë 10.03.1998, për merita të vaçanta, është shpallur Dëshmor i Atdheut. Prehet ne vendlindje, në Gruemirë-Cezmë të Shkodrës.
Arben Tajar Hoxha/ Është lindur më 9 prill 1973 në Klos të Elbasanit. Pas përfundimit të Shkollës së Lartë Ushtarake në specialitetin e artilerisë kundërajrore, u emërua komandant toge në Fierzë të Tropojës dhe më pas në Shkodër. Ra në krye të detyrës më 12 mars 1997 në Shkodër. Me vendim të Këshillit të Rrethit Shkodër Nr.04, datë 10.03.1998, është shpallur Dëshmor i Atdheut me motivacion, “Për përkushtim ndaj detyrës ushtarake, besnikëri e disiplinë, kurajo morale e ndjenjë përgjegjësie në zbatimin e urdhërit për ruajtjen e mbrojtjen e repartit, që çoi në vetëmohim, duke dhënë jetën në krye të detyrës, duke u bërë shembull qëndrese e heroizmi”. Prehet në vendlindje, në Klos të Elbasanit.
Albert Xhelo Lelaj/ Është lindur më 26 maj 1958 në Gjirokastër. Kreu studimet në Shkollën e Mesme Ushtarake “Skënderbej” në vitin 1973-77 dhe 1978-19882 Shkollën e Lartë të Oficerëve në specialitetin e artilerisë kundërajrore. Në vitin 1994 përfundoi Akademinë Ushtarake dhe u emërua në Divizionin Labëria, Gjirokastër. Ra në krye të detyrës në depot e Picarit në Gjirokastër. Me vendimin e Këshillit të Rrethit Nr.13, datë 23.03.1998, për merita të veçanta, është shpallur Dëshmor i Atdheut. Prehet në vendlindje në Gjirokastër.
Bardhyl Selami Këlliçi/ Është lindur më 6 shkurt 1966 në Leskoj të Permëtit. Oficer i mbrojtjes kundërajrore në Divizionin Labëria. Ra në krye të detyrës në depot e Picarit në Gjirokastër, më 15 qershor 1997. Me vendim të Këshillit të Rrethit Gjirokastër Nr.13, datë 23.03.1998, për merita të veçanta, është shpallur Dëshmor i Atdheut, me motivacionin, “Rënë në krye të detyrës për ruajtjen e pasurisë ushtarake”. Prehet në vendlindje.
Vangjel Çondi/ Është lindur në Sarandë në vitin 1960, ishte pjesë e ekuipazhit të pilotëve të helikopterit qeveritar Bell 222, rrëzuar më 16 korrik 2006, gjatë transportimit të politikanit Gramoz Pashko për mjekime në Itali. Më datë 20 nëntor 2006, presidenti i Republikës së Shqipërisë, Alfred Moisiu dekoroi Vangjel Çondi (pas vdekjes) me “Medalja e Artë e Shqiponjës”.
Demush Heba/ Është lindur në vitin 1960, ishte pjesë e ekuipazhit të pilotëve të helikopterit qeveritar Bell 222, që transportonte politikanin Gramoz Pashko. Më datë 20 nëntor 2006, presidenti i Republikës së Shqipërisë, Alfred Moisiu dekoroi Demush Heba (pas vdekjes) me “Medalja e Artë e Shqiponjës”.
Qemal Kondi/ Është lindur në vitin 1950, vdiq në vitin 2006 gjatë transportimit në Itali me helikopter të politikanit Gramoz Pashko. Qemal Koni iu akordua me datë 20 nëntor 2006, “Medalja e Artë e Shqiponjës” (pas vdekjes), nga presidenti Moisiu. Qemal Kondi përshkruhet nga kolegët e tij pilotë, si një teknik i përsosur dhe një prej profesionistëve të aviacionit shqiptar. Ai prej shumë vitesh kujdesej për mirëmbajtjen dhe kontrollin e helikopterit që shërbente për personalitetet shtetërore shqiptare.
Floran Delia/ Është lindur më 01.10.1973 në Dibër. Kreu studimet në Akediminë Ushtarake “Skënderbej” nga ku u diplomua në vitin 1996 si pilot. Nga viti 2004 e në vazhdim ka kryer detyra të ndryshme në Bazën Ajrore Farkë, si pilot ekuipazhi i parë në BO105 dhe komandant ekuipazhit SAR.
Kapiten Delia ka kryer kurse kualifikimi brenda dhe jashtë vendit. Ra në krye të detyrës në datë 06.04.2016 si pasojë e rrëzimit të helikopterit EC 145 në Grizhdë të Malsisë së Madhe, gjatë një fluturimi stërvitor.
Donald Hoxha/ Është lindur lindur më 17.06.1988 në Berat. Kreu studimet në Akediminë e Aviacionit të Pozzuolit në Napoli, Itali, ku e përfundoi me sukses në vitin 2011 dhe u certifikua si pilot. Pas shkollimit, u emërua pilot në Bazën Ajrore Farkë, ku shërbeu me profesionalizëm e devotshmëri. Detyra e fundit ishte pilot SAR në grupin e helikopterëve në Bazën Ajrore Farkë. Kreu kurse të ndryshme kualifikimi, brenda dhe jashtë vendit, për pilotimin e helikopterëve të tipit EC 145 ( SAR). Ra në krye të detyrës në datë 06.04.2016 si pasojë e rrëzimit të helikopterit EC 145 në Grizhdë të Malsisë së Madhe, gjatë një fluturimi stërvitor./dritare.net