Shpëtim Idrizi nuk iu bashkua federatës së opozitës pak kohë më parë, pasi ai thotë se bashkimet mekanike janë të pamjaftueshme për të ardhur në pushtet.
“Qytetarët nuk presin nga opozita thjesht të dëgjojnë se Edi Rama duhet mundur, por duan të dinë nga ne çfarë do të bëhet me shpopullimin, me pensionet, me rritjen e çmimeve, me kthimin e një demokracie funksionale që do t’i japë vendit një ekonomi tregu, ku prevalon konkurenca dhe jo 5 veta që marrin të gjitha nga një njeri”- tha zoti Idrizi duke vënë në dukje nevojën e opozitës për një program të mirë dhe një ekip të ri.
A do të thotë kjo që PDIU e sheh si pengesë Sali Berishën për rikthimin e opozitës në pushtet?
“Ne respektojmë zgjedhjen e partive te tjera, përfshi PD, por çdo parti duhet ta ketë të qartë boshtin tonë të partneritetit nga Roma më Uashington. Sali Berisha nuk është kryetar i PDIU-së dhe unë po flas si parti e një fronti opozitar që nuk ka kryetar. Pra, unë s’e kam kryetar Sali Berishën as të koalicionit. Ne duhet të kemi qartësinë për t’u thënë njerëzve çfarë do të bëjmë ndryshe në pushtet dhe me cilin ekip do ta bëjmë. Them që ka nevojë për një ekip të ri, sepse ky ekip i vjetër që është, nuk mund ta bëjë. “- tha Shpëtim Idrizi.
/a.r