Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka miratuar një projektvendim, në bazë të të cilit parashikohet rritja e masës së pensionit për disa kategori të veçanta. Burime pranë këtij institucioni thanë për Gazetën Shqiptare se bëhet fjalë për pensione të parakohshme, të caktuara në vitet 1994 dhe 1995, të cilat në krahasim me pagesat e tjera të pleqërisë janë shumë të ulëta.
“Sigurisht që Instituti i Sigurimeve Shoqërore mund të bëjë propozime pranë Këshillit të Ministrave për ndryshime të masës së pensionit. Konkretisht, në mbledhjen e datës 17 mars ne miratuam një projektvendim për të rritur disa pensione që janë shumë të ulëta. Janë disa pensione të parakohshme, të caktuara në vitet ’94-’95, të cilat kanë një diferencë shumë të madhe me të tjerat dhe për këtë arsye, ne dëshirojmë t’i përafrojmë shumat”, u shprehën përfaqësues të ISSH-së.
Të njëjtat burime shtuan se është ende herët për të folur konkretisht për masat e rritjes, pasi projekti i ISSH-së “Për ngushtimin e diferencave në masën e pensioneve” do të duhet të diskutohet edhe pranë Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë e më pas do të duhet të kalojë në qeveri për miratim. Do të jetë pikërisht kjo e fundit që do të vendosë nëse do të pranohet propozimi përkatës si dhe kategoritë përfituese.
Indeksimi
Ndërkaq, ashtu sikurse vitet e kaluara, në muajin korrik pritet të bëhet edhe indeksimi i masës së pensioneve me inflacionin. Kjo është një procedurë që kryhet çdo vit nga qeveria e që synon mbrojtjen e kësaj shtrese nga luhatjet e inflacionit, që pasohen me rritje të çmimeve. Vitin e kaluar rritja e pagesave të pleqërisë ishte 1.4 për qind, ndërsa preku rreth 600 mijë qytetarë.
Nga indeksimi me inflacionin, çdo vit përfitojnë rritje jo vetëm pensionet e plota të pleqërisë, por edhe ato të pjesshme, pensionet e reduktuara, të parakohshme të pleqërisë, të invaliditetit dhe familjare, pensionet për vjetërsi shërbimi, si në qytet ashtu edhe në fshat.
Në të njëjtën masë rriten edhe pensionet suplementare për ushtarakët, Policinë e Shtetit, punonjësve të Gardës, Shërbimit Informativ të Shtetit, policisë së burgjeve, zjarrfikësit dhe shërbimit të kontrollit të brendshëm, të punonjësve me tituj shkencorë, si edhe trajtimet e veçanta financiare të pilotëve, ish-detarëve, të ish- punonjësve të industrisë ushtarake, trajtimet e veçanta financiare të ish-minatorëve.
Në fakt, këtë vit është konstatuar një nivel më i ulët i inflacionit, por referuar eksperiencave të viteve të kaluara, nuk përjashtohet mundësia e një rritjeje më të lartë. Përgjithësisht, ndryshimi i masës së pensionit shkon në rreth 2 për qind më tepër.
BW