Analisti Preç Zogaj, në emisionin ‘3D nga Alban Dudushi’ në RTSH kërkoi që të ketë objektivitet, lidhur me dinamikën e zhvillimeve në Shqipëri në raport me faktorin ndërkombëtar
Sipas tij, Rama ka rekorde të bardha në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe kjo meritë i duhet njohur, sepse e bën edhe më të besueshme opozitën kur flet me objektivitet.
“Në dallim nga Rusia që ka një autokrat, Shqipëria ka 25 vjet që bën stafetën e autokratëve. Zihen për pushtet, por bëjnë teatër demokracie në publik. Nën tavolinë shkëmbejnë tendera, licensa. Ne kemi kohë që e trajtojmë këtë problem si media dhe si analistë. Duhet të pohojmë se Shqipëria këtë periudhë ka qenë destinacion i pëlqyer i samiteve Evropiane, për Ukrainën dhe integrimin e rajonit. Ne na intereson e ardhmja. Pavarësisht se e drejton një njeri me të cilin jemi në opozitë, ne na intereson që Shqipëria të jetë në kursin e integrimit në Evropë, në besnikërinë ndaj NATO-s. Këto mbajnë në kursin e duhur për ëndrrën evropiane. Rama, sikurse paraardhësit e tij, ka rekorde të bardha dhe të zeza. Por, në marrëdhëniet ndërkombëtare, ai ka pasur rekorde të bardha. Objektiviteti na jep dhe besueshmëri edhe si opozitë. Nuk është opozitë vetëm me nxi. Vizita e Blinken ishte shpërblim për Tiranën zyrtare për integritetin në rajon”, tha Zogaj.
/a.r