Pas largimit nga Kuvendi i Kosovës dhe me organizimet e rralla të protestave, opozita po shihet shumë e pafuqishme karshi Qeverisë. Madje, me këtë intensitet të kundërshtimit, sipas analistëve, opozita nuk mund ta rrëzojë Qeverinë kurrë.
Pas tërheqjes së opozitës nga Kuvendi i Kosovës koalicioni qeverisës PDK-LDK mund të ndihet tepër komod. Madje me veprimet sporadike, duke protestuar një herë në 40 ditë, mazhoranca e ka siguruar pushtetin deri më 2018, kur janë parashikuar me ligj mbajtja e zgjedhjeve të reja.
Kështu të paktën konsiderojnë analistët politikë, por edhe vetë përfaqësuesit e koalicionit, të cilët e kundërshtojnë çdo mundësi për shkuarje në zgjedhje të reja.
Megjithatë tri partitë opozitare, Lëvizja “Vetëvendosje”, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe “Nisma për Kosovën”, besojnë fuqishëm se do t’ia arrijnë të qëndrojnë deri në rrëzimin e koalicionit qeverisës. Ndërkaq, analistët po e shohin opozitën të pafuqishme karshi Qeverisë së Kosovës.