Opozita e Bashkuar dhe avokati i kreut të zgjedhur të Bashkisë së Himarës, Fredi Beleri kanë deklaruar se figura e Belerit është denigruar.
Në fjalën e tij në konferencën për media, Kreu i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule akuzoi kryeministrin Rama se ka ushtruar ndikim te gjyqësori për arrestimin dhe ecurinë e procesit ligjor ndaj Belerit.
Sipas Dules, Rama nxiti nacionalizmin e sëmurë për helenizimin e Himarës për realizimin e arrestimit të Belerit.
“Kjo është çështje që nisi më 6 maj nga kryeministri Edi Rama. Nisi me fushatë zgjedhore në bashkinë Himarë, me tubimin në qendër të Himarës ku u evidentuan 2 elementë të papranueshme për një fushatë zgjedhore
Denigrimi I figurës së z.Beleri me fyerje, bullizëm dhe karakterizime të papranueshme.
Me shpifje: Ju kujtoj faktin publik se duke instrumentarizuar, shtrembëruar përkthimin për helenizmin, Rama duke shfrytëzuar segmente të medias e shndërroi në helenizim, duke përmbysur kuptimin e fjalës. Kemi denigrimin e figurës së Belerit dhe përgatitjen e opinionit publik me nxitjen e nacionalizmit të sëmurë për të përgatitur pikërisht atë që pasoi. Më datë 8, e hënë, në një kohë që z. Beleri ishte në një aktivitet jashtë vendit, nis përgjim telefonik i tij dhe ambiental nga një grup prej 15 efektivësh. Pasi nuk u arrit që të gjendjen një fakt I vetë gjatë përgjimeve, realizohet një arrestim në fakt rrëmbimi në qendër të Himarës në një moment kur ishte me avokatin e tij. Me retorikën në rritje nacionaliste të z. Rama.
Nuk u mor me kandidatët lokal por u mor me z. Beleri duke arritur kulmin një orë para arrestimit, rrëmbimit të z. Beleri ta kërcënojë nga një emision televiziv.
Rama nuk u ndal me kaq, para çdo vendimi të gjykatave, duke matur fajin, duke e krahasuar atë me raste të tjera analoge, çka përbën ndërhyrje të hapur në punën e gjyqësorit dhe dëshmon se çështja Beleri ka qenë frymëzim, regji dhe monitorim në çdo detaj të saj nga z. Rama.
Përjetojmë dy shkelje madhore kushtetuese, janë dispozita të konventës evropiane të të drejtave të njeriut, janë pjesë e legjislacionit në të gjitha vendet.
Belerit i privohet, në një kohë që prezumohet i pafajshëm, e drejta e zgjedhjes. Zgjedhjet nuk përfundojnë me ratifikimin e vendimit të KQZ, ajo përfundon me betimin e të zgjedhurit”, tha Dule.
Ndërsa avokati i Belerit, duke iu referuar seancës së djeshme ku Gjykata e Posaçme vendosi të japë më 5 mars vendimin ndaj kreut të zgjedhur të Bashkisë Himarë, u shpreh se janë dy-tre drejtues policie ata të cilët kanë iniciuar dhe kanë tërhequr Prokurorinë dhe gjykatën në procesin e paligjshëm ndaj klientit të tij.
“Nuk ka ndodhur që të ndërpritet diskutimi përfundimtar në mbrojtje. Belerit nuk iu dha e drejta e fjalës si i akuzuar për ti dhënë prokurorisë shanse për rregullimin e gabimeve: tablatet e telefonike nga data 8-12 bashkëpunëtorët e policisë nuk ka qene fare në Vlorë. Kjo provë është iniciuar nga policia, jo prokuroria. Këtë e ka inciuar policia. Dy-tre drejtues policie, kanë iniciuar këtë dhe kanë tërhequr prokurorinë e gjykatën në këtë proces të paligjshëm. Numri i lartë i personave të përgjuar, provon se ndjekja penale kishte filluar nga policia ditë më parë pa urdhrin e prokurorit”, tha ai.
Gjykata e Posaçme vendosi dje (28 shkurt) të japë më 5 mars vendimin ndaj Fredi Belerit që mbahet i arrestuar për akuzën e korrupsionit në zgjedhje.
Në pretencën e prokurorëve të SPAK, kërkohet që Fredi Beleri të dënohet me 2 vite e 6 muaj burg për blerjen e 8 votave në fushatën elektorale të 14 majit, kur rezultati i votimeve të 14 majit ishte me 19 vota diferencë. Ndërsa 4 vite shërbim prove kërkohet të jetë dënimi për të pandehurin tejtër Pandeli Kokaveshi.
/a.r