Në samitin për Ukrainën që u mbajt sot në Tiranë u hodh edhe ideja e bashkëprodhimit të fishekëve mes Ukrainës dhe Shqipërisë. I ftuar në Repolitix’ në Report Tv, deputeti i PS, Petro Koçi tha se bëhet fjalë për municione të standarteve të larta.
Ai tha se nëse një gjë e tillë ndodh, do të ishte lajm i mirë edhe për Shqipërinë që rikrijon kapacitetet për prodhime ushtarake.
“Besoj është më shumë për municione. Nëse do e shihnim edhe nga interesi ynë, përtej asaj që duhet ndihmuar Ukraina, për ne do ishte një avantazh i madh se do rikrijonim një kapacitet. Bashkëprodhimi do ishte një aktivitet ku ne jemi aksioner, do kishte efekte pozitive për ne sepse prodhimet ushtarake janë pothuajse zero. Ukraina ka marrë armatim modern nga vende europiane. Edhe armatimi ynë është i një standarti tjetër, nuk kemi më kallashnikovë. Bëhet fjalë për municion të standarteve të sotme. Do na shërbente edhe neve”- tha Koçi.
Ndërsa sekretari i PD-së për sigurinë, Xhemal Gjunkshi tha Shqipëria duhet ta shohë këtë si një mundësi për të mbajtur një pjesë të municionit të prodhuar.
“Të prodhohet edhe një sasi t’i mbetet edhe ushtrisë shqiptare. Pra të jemi më të zgjuar, më largpamës jo thjesht ta shohim si një biznes për të kaluar një situatë të vështirë që po kalon Ukraina”- u shpreh Gjunkshi.