Restoranti “Padam” edhe njëherë tjetër u bë mikpritës i liderëve botërore. Këtë të mërkurë priti Presidentin Volodymyr Zelensky në vizitën e tij të parë në Tiranë, por edhe udhëheqësit e tjerë që ishin të pranishëm në samit. Fundim Gjepali, shefi i mirënjohur i restorantit, na tregoi gjatë një lidhjeje për Klan News disa prapaskena se çfarë ndodhi gjatë drekës.
I pyetur nga gazetari Besard Jacaj nëse ka pasur ndonjë batutë mes Aleksandër Vuçiç dhe Vjosa Osmanit duke qenë se ishin në një tavolinë, Gjepali na zbuloi se Presidenti serb nuk ishte i pranishëm. Ai u shpreh se ka qenë në listë, por në fund nuk ka qenë pjesë e drekës. Sa i takon Presidentes së Kosovës, Gjepali tha se komplimentoi punën e restorantit.
“Di të them që Vuçiç nuk ishte prezent në drekë. Ishte i ftuar sepse kishim në listë që do ishte prezent. Nuk i di motivet pse nuk ishte prezent. Liderët e tjerë ishin dhe Vjosa Osmani që me elegancën e saj na komplimentoi shumë. Njeri shumë i mirë”, u shpreh Gjepali.
Ai tha se menunë e ka realizuar në një mënyrë të tillë që t’u ngelet në mendje të gjithë liderëve, mes tyre edhe Presidentit Zelensky.