Ardhja e refugjatëve sirianë në zonën e Konicës apo edhe në Janinë, shumë pranë kufirit të Greqisë me Shqipërinë, ka bërë që strukturat në vendin tonë të angazhohen për të marrë masat e nevojshme për të përballuar situatën. Duke folur në “Njerëz në fokus” në News 24 për krizën e refugjatëve dhe mundësinë e këtyre të fundit për të hyrë në vendin tonë, drejtori i Përgjithshëm i Kufirit pranë MPB, Genc Merepeza, tha se “nëse refugjatët kërkojnë mbrojtje humanitare, ne i pranojmë”.
Merepeza ka sqaruar edhe masat e marra për përballimin e situatës, si dhe zonat ku do të përqendrohen refugjatët, nëse do të hyjnë në vendin tonë.
“Për zonat ku mendohet se do të ketë më shumë prurje të refugjatëve do të bëhen edhe ndërhyrjet e nevojshme, por angazhimi i strukturave për ngritjen e kampeve do të bëhet në momentin kur do të hyjnë emigrantët në vendin tonë. Kampet do përqendrohen në Gjirokastër dhe Korçë, nga ky pritet edhe të hyjnë refugjatët në vendin tonë”, tha Merepeza.
Pavarësisht se ende nuk ka asnjë kamp të ngritur, Merepeza tha se plani është gati kur të bjerë gongu duke folur edhe për parashikime. “Ra gongu jemi gati. Kemi bërë parashikimet tona. Nëse kemi 3 çadra, 2 do jenë në Gjirokastër e 1 në Korçë. Grupi që është në Janinë, jo vetëm që nuk është një grup i madh por nuk do vijë brenda ditës në Shqipëri, i gjithi”, tha ai.
Ndërsa deputeti Kastriot Islami, tha se kjo krizë e ka një veçanti, pasi refugjatët nuk duan të qëndrojnë në Shqipëri por vetëm ta përdorin si vend tranzit.
“Kjo krizë ka një veçanti, sepse refugjatët nuk duan të rrinë në Shqipëri, por duan të jenë tranzit. Në krahasim me dëbimin e kosovarëve ata donin të rrinin përkohësisht në Shqipëri. Refugjatëve nuk u volit të rrinë në Shqipëri”, tha Islami.
Ndërkohë Merepeza bëri të ditur gjithashtu se në pikat kufitare janë vendosur pajisje për identifikimin e refugjatëve. Ai u shpreh optimist se ardhja e mundshme e refugjatëve në Shqipëri nuk do jetë krizë si e Kosovës dhe as si ajo maqedonase. “Janë vendosur pajisje për identifikimin e refugjatëve në pikat kufitare që përballojnë 200-300 veta në ditë. Shifrën 10 mijë veta nuk e mendoj se do vijnë në kufirin shqiptar. Ata emigrantë që nuk pranojnë mbrojtje humanitare do të kthehen pas në Greqi. Nuk do jetë krizë si e Kosovës por as edhe si kriza maqedonase jo e jo. Nga analizat e riskut që kemi bërë nuk e shohin shumë tërheqëse rrugën shqiptare”, pohoi ai.
Merepeza tha gjithashtu se në një fluks të mundshëm çadrat për strehimin e refugjatëve do të jenë afër kufirit.
“Çadrat do të jenë afër kufirit që të kemi mundësi t’i akomodojmë. Nuk e kemi si skenar Sarandën. Do vijnë në Gjirokastër dhe pastaj ato shpërndahen. Pritja e parë në Gjirokastër. Kemi identifikuar disa hapësira publike në Gjirokastër, në periferi”, u shpreh ai.