Legjenda e popit, Paul McCartney, ka paraqitur disa dokumente ligjore në Shtetet e Bashkuara, me kërkesën për të rikthyer të drejtat e publikimit të katalogut të grupit The Beatles. Edhe pse ai ka bashkëshkruar shumicën e hiteve të këtij bendi, McCartney nuk ka kontrolluar kurrë publikimin. Megjithatë, akti i së drejtës autoriale në SHBA, i cili daton nga viti 1976, u jep autorëve mundësinë të rimarrin të drejtat pas 56 vjetësh.
Katalogu Lennon-McCartney do të vihet në dispozicion më 2018. Raportohet se McCartney do të rimarrë të drejtat e publikimit vetëm për gjysmën e kompozimeve, shumicën e të cilave i ka bashkëshkruar me John Lennonin. Për më tepër, akti vlen vetëm në SHBA, kështu që katalogu i grupit The Beatles do të mbetet në duart e kompanisë Sony/ATV në pjesën tjetër të botës.
Të drejtat e publikimit përcaktojnë se si mund të shfrytëzohet një këngë – për shembull, licencimi i përdorimit të saj në një film ose program televiziv. Publikuesi ndan çdo përfitim me tekstshkruesin. Paul McCartney ka grumbulluar pasuri personale prej 730 milionë funtash.