“Prej 4 Marsit baza ajrore e Kuçovës do të shndërrohet në një pikë të rëndësishme jo vetëm për vendin tonë, por për të gjithë sigurinë e Ballkanit Perëndimor.”
Pjesa kryesore e punimeve në këtë bazë ka përfunduar prej disa javësh dhe tashmë po bëhen përgatitjet e fundit për inaugurimin e saj.
Ne takuam Kolonel Adrian Kulin i cili foli për rëndësinë e kësaj baze të vetme të NATO-s në Ballkanin Perëndimor tashmë të modernizuar njësoj si bazat e tjera të Aleancës.
“Kuçova kthehet në një pikë të rëndësishme infrastrukture të Aleancës Ushtarake duke siguruar kështu mbështetje të plotë për trupat e aleancës qoftë për operacione dhe stërvitje të ndryshme të trupave të aleancës dhe forcave tona të forcës ajrore apo mjeteve të tjera.”
Kolonel Kuli tregon se përse u zgjodh nga NATO kjo pikë strategjike e vendit tonë.
“Baza ajrore e Kuçovës u përzgjodh për hir të shumë avantazheve që ofron kjo bazë qofshin këto avantazhe të pozicionit gjeografik, kushtet meteorologjike të shkëlqyera si dhe drejtimit të uljes dhe ngritjes së mjeteve ajrore të tipologjive të ndryshme.”
Në stërvitjet e trupave të aleancës së NATO-s me ato shqiptare do të përdoren mjete të tipologjive të ndryshme deri tek ato më modernet.
“Mjetet që do të përdoren janë të tipit gjuajtës taktik dhe transportues taktik pasi të gjitha projektet janë bërë në përputhje me këto elementë që do të thotë që mund të përdoren mjete me tipologji të ndryshme të alenacës po të versioneve të gjuajtësve dhe transportit taktik dhe në të njëjtën kohë edhe nga mjetet ajrore shqiptare, helikopter, drone dhe çfarëdolloj mjeti tjetër që kanë në përdorim forcat ajrore shqiptare.”
Kthimi i bazës së Kuçovës në Bazën Taktike të NATO-s shihet pozitivisht edhe nga banorët e zonës në aspektin social dhe ekonomik.
“Ajo është një gjë e mirë jo vetëm për Kuçovën, por edhe për shtetin.”
“Shumë pozitive është. Ajo ka funksionuar edhe më parë, tani që e morri NATO bëhet edhe më mirë për ne.”
“Shumë mirë, ne na u bë shumë mirë.”
Në ceremoninë e 4 Marsit në Kuçovë pritet të marrin pjesë përfaqësues të lartë të shtetit shqiptar, të NATO-s dhe SHBA-ve. Për modernizimin e kësaj baze ajrore nga NATO janë investuar rreth 50 milionë Euro, ndërsa rreth 5 milionë të tjera nga qeveria shqiptare.
/f.s