Po i telefonoja mësuesit të gjimnazit me të cilin kisha zhvilluar 3 vite lëndën e Matematikës. Lëndën ku të gjithë dridheshim nga frika e një qortimi apo note të ulët.
Mësuesit e matematikës paskan qenë të gjithë njëlloj, reflektojnë rreptësi.
Ndoshta këtë fjali do të më duhet ta përtyp, pasi paskësh qenë shumë ndryshe çdo gjë.
Pas 3 vitesh, kthehem në kontakt me mësuesin të cilin kisha dëshirë t’ja njihja linjën e jetës përmes rrëfimit të tij.
Unë se kisha njohur mirë…gjithçka do ndryshonte pas asaj bisede me mësues Ibrahim Salajn.
Unë isha e shoqëruar nga im vëlla, dhe drejt nga horizonti ku prisja ta shihja, e dija prej ku do vinte, afrohet me një motor që e kishte blerë së fundmi.
E vërej dhe kuptoj që nuk ka ndryshuar asgjë, sikur nuk i ishte shtuar asnjë rrudhë, vitet për të kanë kaluar, por mbetej i njëjti.
U ulëm diku ku mund të qëndronim ndoshta dhe për orë të tëra në qetësi dhe të bisedonim, pa ndonjë shqetësim prej zhurmave të qytetit.
Me vete kishte marrë dhe një çantë, me të cilën më ktheu pas në vite në ditët kur hynte në klasë vendoste gjërat mbi tavolinë dhe menjëherë niste ekuacionet.
Brezit tonë, i mungon shkolla, ndonëse edhe prej frikës së daljes në jetë, në atë realen dhe të vështirën, ndërsa atij i mungonte se tashmë nuk kishte një sfidë para. Neriut i duhet patjetër diçka për ta luftuar në jetë, pa të do ishte bosh.
Sot, mban as pak, por as shumë, plot 72 vite mbi supe. Kështu më rrëfeu, i përkiste brezit të 1952-it.
Do t’i kërkoja të më rrëfente historinë e jetës së tij, dhe duket se e nisi me diçka që ndoshta e kishte përjetuar në moshë të mitur e që i la gjurmë të përhershme. Të rritesh pa baba. Duke më theksuar ndryshimin total mes brezave, ekonomive, edukimit social-kulturor dhe gjithçkaje tjetër, nisi të më rrrëfente se në një varfëri të plotë, i nisi 4 vitet e tij të para në bankat e shkollës në Mallunxë, aty në një fshat më lart qytetit të Burrelit, ku edhe ishte lindur. Në ato katër vite kujtonte me një fytyrë të keqardhur duke mos e besuar as vetë se si ishte rritur, se si mësonin në një banesë, në një dhomë disa klasa sëbashku, me arsimtarin e tyre Bajram Muratin. Le ta quajmë ‘Epoka e mësimdhënies kolektive’. Por, nuk do të isha e drejtë, pasi me raportimet e fundit, klasat kolektive janë sërish në modë.
“Ndonëse, mundësitë ishin të pakëta për ta shfaqur veten, më pëlqeu Matematika që në ato 4 vitet e para”, më tha. Qeshi pak dhe vijoi: “Ai më trajtoi më mirë, se të tjerët edhe i rrihte. Mbaj mend që ju jepte dy karrige në dorë dhe i linte me një këmbë si dënim para klase”. Epo, me një këmbë kisha dëgjuar, edhe kisha parë, po edhe me dy karrige në krah, këtë jo.
Pas këtyre 4-viteve, do i duhej të shkëputej e të vazhdonte në shkollën 7-vjeçare më të afërt, në atë të Lisit. Këtu mesa duket Ibrahimi nuk kishte një eksperiencë dhe aq të këndshme. Ndryshe nga ai në Mallunxë, këtu nuk ndihej mirë me mësuesit. Nuk bëhej fjalë vetëm për vlerësim, por edhe mërzinë, lodhjen psikologjike.
“Ne na duhej të shtrydhnim çizla atëherë për bojë dhe shkruanim me penë sigurisht, kishte raste na derdhej boja në çantë e na njolloseshin të gjitha. Ai i kapte fletoret na i hidhte, na poshtëronte. Këto ishin të tepërta. Nuk rrija dot më aty”.
Dhe vërtetë, Ibrahimi ndenji vetëm pak muaj aty, dhe u transferua menjëherë në Burrel. Ky ishte fat i madh i tij. Duke më treguar se çfarë gjeti në Burrel kuptova se më shumë se çdo gjë tjetër ishte avantazh. Burreli ishte qendër, jo vetëm prej pozitës gjeografike, por sepse aty ishte e vendosur klasa e parë e shoqërisë. Më tregoi për korpusin e oficerëve, të cilët sillnin kulturat e vendeve të tjera. Duke patur kontakt me një shtresë të tillë, detyrimisht edhe përfitimet ishin akoma më të mëdha se ç’mund t’i kishte në çdo fshat tjetër të Matit.
“Mbaj mend që në klasën e pestë, kisha shumë pak fëmijë matjanë, shumica ishin të ardhur, fëmijë të oficerëve. Madje unë kisha në klasë edhe Fluturën, vajzën e sekretarit të parë, Mustafa Pajengos. E mbaj mend Fluturën se ishte një vajzë ndonëse nga një shtresë e mbajtur mirë, ishte mjaft e thjeshtë, ndryshe nga të tjerët, dhe shumë e sjellshme me të gjithë ne. Edhe mësonte shumë. Flutura vazhdoi studimet atëherë për filozofi.”
Ma përsëriste shpesh, që disa prej këtyre kujtimeve mund edhe t’i kishte harruar nëse s’do kthehej i detyruar tani në kohë. Dhe mund ta kuptoja këtë fakt se e shihja që teksa unë përfundoja së shkruari ndonjë detaj ai kishte humbur diku, dhe sapo unë ndaloja, ai qeshte dhe heshte prapë.
E më tregoi se në çfarë dilemash ishte kur po përpiqej të kuptonte se çfarë donte më shumë të bënte në të ardhmen. Për ta marrë vesh diçka të tillë duhej të ktheheshim në atë orë mësimi në klasën e shtatë. Ishte ora e letërsisë, e zhvillonte me mësuesen Luljeta Krasniqi, kjo e fundit ishte bashkëshortja e Tahir Tahirit, piktorit të njohur matjan. Ora e hartimit. Aq shumë u përpoq të gjente temën që kishte patur. Kishte rëndësi për të, por nuk mundëm të zbulonim kaq.
Dhe pasi e kuptoi që historia duhej të vazhdonte, pavarësisht temës në mungesë të hartimit, rrëfente: “Ne të Matit, ishim të veshur jo mirë, s’na dinte njeri as emrin. Pasi mësuesja i kishte korigjuar hartimet tha: Kush është Ibrahimi? Unë iu përgjigja dhe me frikë dhe me kënaqësi se s’dija pse po më pyeste. Pastaj dëgjova të thoshte: Ti ke shkruar hartimin më të bukur! Unë aty mora motivimin më të madh, për të vijuar të mësoja.”
Nuk ishte rastësi që ky hartim të dilte më i bukuri pasi gjatë rrëfimit të tij ai më tregoi se përmes vëllait të që jetonte në Burrel, konvikt, (pasi vetë Ibrahimi kthehej çdo ditë në shtëpi, ndonëse i duhej të ecte disa kilometra), i siguronte libra nga biblioteka gjithnjë. “Unë e kam lexuar “Lufta dhe paqja” që atyre viteve”. Kështu po më tregonte se i pëlqente mjaft edhe letërsia. Të shkruante. I thonin se kishte një fjalor të pasur me shprehi artistike, letrare.
Dhe po në të njëjtën ditë këtë më rrëfen se e njëjta gjë kishte ndodhur me mësuesin Dragush Caco, në një detyrë kontrolli në lëndën e matematikës. Njëlloj dhe ai, sipas Ibrahimit, i thoshte se kishte realizuar detyrën më të saktë. Kështu nisi formimi i besimit në vete, nga përvoja e hidhur në Lis.
Duke lënë pas këtë gëzim, kthehemi sërish tek ‘retë e historisë’. Ç’mund të ishte tjetër, veçse gjendja ekonomike e vështirë. Nuk mund të punonte më vetëm mamaja. Duke më përmendur lekët e asokohe më thotë se nuk mbyllej më asnjë shpenzim veç bukës.
Ndaj që nga klasa e shtatë, çdo verë i shtrohej punës. Ndoshta edhe mund të mos e vijonte më shkollën, nuk do niste gjimnazin, por shkak dhe ogur i mirë një nga mësuesit që e detyroi të mos i braktise së paku dhe ato vite që kishin mbetur.
Veçse në gjendje të vështirë ekonomike, shkollën e mesme do duhej ta zhvillonte natën.
Intensivisht kur arritëm në këtë fazë të jetës së tij më fliste me një adhurim të paparë rreth Albert Frashërit, ish-mësuesit të tij të matematikës, por duke se ai mund të ishte vendimtar në ecurinë e tij.
Përfundoi dhe shkolla e mesme, sigurisht periudha e sistemit komunist, disa maturantë arritën të vijonin shkollimin e tyre nëpër universitete e disa të tjerë edhe jo,për shkak të biografisë së tyre. Por, fatmirësisht Ibrahimi përfshihej tek grupi i parë i këtyre nxënësve.
Reshtim së foluri për disa minuta. Dhe unë preferoja shumë ta lija të qetë, e dija që po luante në ‘magnetotrurin’ e tij kujtimet e preferuara, e kuptoja këtë kur e shihja ashtu me gojën gjysmë të hapur, gati për të folur, por akoma jo, me gishtin tregues të mbështetur mbi hundë. Dhe ja… më përmend sërish Albertin. Një nga këto kujtimet e befasishme. Rikthehemi sërish në vitin e dytë të gjimnazit, Ibrahimi thotë se mungoi rreth 3-4 ditë në shkollë pasi kishte nënën sëmurë. Shokët e tij e kishin mësuar këtë fakt dhe pritej ta vizitonin.
“Unë s’kisha shtëpi për t’i pritur”, shprehet ai, “ndaj iu përsërisja herë pas here, ‘Nëna është më mirë, do kthehem në shkollë’”. Mësuesi i tij, Alberti, i cili e njihte situatën mirë nga afër, kishte propozuar të fliste edhe me disa mjekë, për lidhjen e ndonjë pensioni.
Dhe çdo gjë rrëshkiti, shton Ibrahimi, sepse unë nuk mund të pranoja.
Teksa më fliste për vështirësitë e tij në Burrel, shkolla, ekonomia, të ngrënit, të veshurit, ecja dhe çdo gjë tjetër. Një ditë më tha po binte shi, dhe isha bashkë me një shok.
“-Ore, po do hamë ndonjë gjë s’mund të presim deri sa të ikim në shpi.
Mendja i shkonte këtu: Të modifikonim një nga ato letrat e mencës së qytetit, dhe të bënim sikur e kishim paguar. Rregulluam një letër të dukej si e tillë dhe shkruajtëm, ato çfarë kishte atëherë, pilaf, mish e të tjera mes tyre dhe një ëmbëlsirë, do ishte ndonjë revani, siç ishte shpeshhere. E kaluam pagesën dhe shkuam menjëherë të kuzhina dorëzuam letrën. Shkova unë në fakt. Më dha ai kamarieri ato çfarë kishim shkruar, po ëmbëlsira kishte mbaruar. I them dua ëmbëlsirën. Ai thërret banakieren dhe i thotë pse ke shkruar ëmbëlsirë, kur ka mbaruar. Dhe aty u kuptua çdo gjë e unë përfundova në drejtorinë e një mikut tim. Fati im i mirë që e njihja. Kësaj radhe nuk më ndodhi gjë, por herën tjetër do më ikte shkolla.”
Ikën të tilla ditë, e tashmë Ibrahimi kishte fituar shkollën e ëndërrave, do studionte Matematikën, aq e bukur, dhe e vështirë. E vështirë duke filluar nga mungesa e literaturës. I humbur në Tiranë, pa dije për destinacionet, së paku fillimi ishte i tillë, siç është edhe sot për studentët e rretheve. Të ishe i mirë në matematikë, sipas Ibrahimit do të duhej të studioje rreth 10 orë në ditë. Duhej të kapje ritmin.
Rreth viteve ’66-’67, përfundoi dhe ky kalvar studimesh dhe emërimi i parë si mësues erdhi në shkollën e Lisit.
Ibrahimi ishte një ndër mësuesit e parë të gjimnazit të parë në Lis. Asokohe, për të tërhequr nxënësit, duhej të shkoje shtëpi më shtëpi. Sepse nuk ishin mësuar t’i dërgonin më shumë, për më tepër vajzat.
Ato vite ishin të parat, me kontrollet e rrepta, punë të lodhshme dhe papushim. Qendra e Burrelit të zinte frymën.
“Nuk kishim asnjë ditë pushimi, paradite në punë, pasdite njëlloj, në fundjavë aksionet kooperative”
Një lodhje e pashpërblyer. Nëse iu them kështu, kuptohet që nuk kishte paga, të paktën jo të mjaftueshme.
Megjithatë, ky mësues, tashmë dalë në pension nga ajo shkollë, flet me krenari që ja doli të çonte më këmbë një tjetër fazë të shkollës, të edukonte krahinën shkollën e mesme bujqësore dhe vetë nxënësit. Ishin shtuar kuadra tërinj, sidomos nga jugu i Shqipërisë, dhe kështu shkolla konsolidohej gjithnjë e më tepër, me rreth 600-700 nxënës.
Pastaj më rrëfen disa etapa me shpejtësi. Por nuk mund të mos ndalonim te fakti se ai për disa kohë ishte në krye të komisionit të Matematikës, për shkollat e Matit përveç atyre të qytetit të Burrelit. Duke punuar kështu deri më 1993 në arsim, dhe papritmas vjen një shkëputje. Ndoshta kishte ardhur koha për pak pushim, apo një mik e tundoi me ofertën e tij për Akademinë e Rendit Publik, por fakt mbetet që deri në vitin 2000, ai shërbeu në Komisariatin e Policisë Mat.
Me një eksperiencë të madhe në arsim, por edhe në jetë, kështu e cilësonte vetë atë epokë, ku pas vitit 2000 e gjeti veten për rreth 7 vite me radhë, sërish mësues në një prej gjmnazeve më të rëndësishme në qytetin e Burrelit, “Pjetër Budi”.
Por, nuk mbaron këtu, duke më treguar një histori jo shumë të këndshme me Drejtorinë e Arsimit në Mat, më shpjegon se gjithçka ishte një lëvizje për interesa partiake dhe individuale. I trishtuar apo i lumtur, i duhej të shkonte mësonjës në Lis përsëri. Më pranë vetes, por prapëmë duket zemra i rrihte të mos lëvizte. Megjithatë, fati vendosi për të. Të dilte në pension në 2017-ën, aty prej shkollës së Lisit.
Sot familja e tij jeton në Tiranë, por ai jo
Nëna e tij jeton ende, e paralizuar dhe Ibrahimi, sot në moshën 67-vjeçare kujdeset për të i vetëm, në fshatin Mallunxë, aty ku lindi, u rrit dhe po pleqëron.
Nga Bionelda Skonja