Ministri i Brendshëm, Taulant Balla bën me dije se është intensifikuar puna e Policisë së Shtetit për të parandaluar rastet e dhunës në vend.
Në një postim në Facebook, Balla shkruan se vetëm në 24 orët e fundit janë arrestuar 15 persona lidhur me rastet e dhunës në familje, shantazhet në rrjetet sociale, si dhe rastet e krimeve seksuale dhe përndjekjeve.
Ministri i bën thirrje personave që janë viktima të dhunës që të bëjnë denoncim në Polici, në mënyrë që të ndërhyhet nga uniformat blu.
“Është detyra jonë, detyra e Policisë së Shtetit të rritim vigjilencën, të reagojmë me vendosmëri ndaj dhunës në të gjitha format e saj, si dhe të marrim masa për të parandaluar dhunën ndaj vajzave dhe grave, për të mbrojtur viktimat dhe për t’i ndjekur penalisht autorët e krimit.
Përgëzime Policisë së Shtetit për rritjen e vigjilencës dhe reagimin në kohë për të parandaluar dhe goditur rastet e dhunës në familje, shantazhet në rrjetet sociale, si dhe rastet e krimeve seksuale dhe përndjekjeve, duke vënë në pranga 15 shtetas për to, gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin.
Inkurajoj viktimat e dhunës, të denoncojnë në Polici këto raste se vetëm kështu na jepet mundësia të ndërhyjmë në kohë për të parandaluar fatalitetin që sjell dhuna”, shkruan Balla.