10.8 miliardë lekë më shumë të ardhura pritet të ketë buxheti i këtij viti.
Gati 75% e këtyre fondeve kanë ardhur nga rritja e kontributeve për sigurimet shoqërore si pasojë e rritjes së pagave, ndërsa pjesa tjetër pritet të vijë nga tatimi mbi fitimin e bizneseve.
Rritja e të ardhurave është rialokuar për investime publike. Në aktin normativ 10.2 miliard lek janë shtuar me financim të brendshëm, ndërsa fondet e huaja janë ulur me 4 miliardë lek.
Gjithashtu transporti rrugor dhe hekurudhor, si dhe ujësjellës-kanalizimet kanë marrë nga 1 miliardë lekë shtesë. Fondit shqiptar të zhvillimit i janë shtuar 2 miliardë lekë në zërin e programeve të zhvillimit.
Ministria e sapokrijuar e ekonomisë, kulturës dhe inovacionit vjen me një buxhet të madh për 51.1 miliardë lekësh. Arti dhe kultura nën këtë dikaster i janë caktuar 3.44 miliardë lekë. Financimi i funksioneve të tjera për sigurimet shoqërore, tregun e punës, arsimi profesional dhe strehimin vijojnë në të njëjtat vlera si tek dikasteri i Financave.
Ndërkohë qeveria vijon edhe konsolidimin e borxhit publik duke ulur me katër miliardë lek deficitin e brendshëm dhe rrjedhimisht masën e planifikuar të huamarrjes./m.j