Rikthehet problemi i makinave të vjetra që shiten për skrap anëve të rrugëve. Një aksion i Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit dhe Policisë së Shtetit u zhvillua në autostradën Tiranë-Durrës, për pastrimin nga vendgrumbullimet e mjeteve motorike të vjetra, pikave të skrapit, por edhe pjesëve të këmbimit të automjeteve. Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, solli në vëmendje dispozitat ligjore që nuk po zbatohen.
“Ka një ligj i cili detyron çdo biznes që të qëndrojë 1 km larg rrugës kryesore. Pastaj, më keq se kaq, vendosja e makinave në karrexhatë, është burim aksidentesh. Duam mirëkuptimin tuaj që të merrni masat, por mos harroni që kjo është jo vetëm e lidhur me aspektin e sigurisë, por mbi të gjitha lidhet me një pastrim që duam t’iu bëjmë krahëve të të gjitha rrugëve të Shqipërisë. Këtu do të përfshihet edhe Policia e Shtetit. Ju duhet jo vetëm ta mbështesni IKMT, por në zbatim të urdhrit, në mënyrë të drejtpërdrejtë, duhet të merrni kontakte me të gjitha bizneset, të cilat duhet të zbatojnë ligjin. Po ashtu të kujdeseni për heqjen e këtyre mjeteve që janë parkuar në mënyrë të parregullt dhe që janë burim aksidentesh”, tha Balla.
Fillimisht, shtetasve do t’u dërgohet njoftimi për pastrimin e mbeturinave në mënyrë vullnetare dhe vetëm pas kësaj faze, do të vijohet me procedurat e tjera sipas planit të masave të IKMT.
“Kjo pamje këtu, nuk i bën nder Shqipërisë. Shqipëria turistike e 2024-s duhet të jetë e pastër dhe kjo nënkupton jo vetëm pastrimin e të gjitha mbetjeve, por pastrimin e këtyre mbeturinave. Kjo gjëja këtu është për t’u shkrirë në metalurgji.”
Sipas ministrit të Brendshëm dhe Drejtorit të Përgjithshëm të IKMT disa pika janë dhe burime aksidentesh ndaj dhe moszbatimi i masave për heqjen e tyre vullnetare do të vijojë me masat ndëshkimore.
/f.s