“Isha somnambul.” Me këtë argument i ka shpëtuar burgut një 58-vjeçar në Breshia të Italisë. Gjykata e ka shpallur të pafajshëm edhe pse u arrestua më 4 janar 2021 pas tentativës për të vrarë gruan e tij duke e mbytur atë me një rrobë prej leshi.
“E kishte trurin e stakuar”, tha eksperti i hetimeve paraprake në sallën e gjyqit. “Burri nuk mund ta kuptonte se çfarë po bënte”, shtoi ai dhe teza u pranua nga prokurori publik i cili kërkoi lirimin e 58-vjeçarit nga qelia.
Seanca dëgjimore tregoi se burri vuante nga parasomnia dhe se kur tentoi të vriste gruan e tij duke e mbytur, ai kishte vepruar si somnambul dhe ishte në gjendje të pavetëdijshme.
I zgjuar nga një pickim i gruas së tij dhe pasi kuptoi peshën e veprimit që kishte bërë, 58-vjeçari u hodh nga kati i tretë atë natë, duke thyer të dyja këmbët. Ai qëndroi në spital për katër muaj. Gruaja nuk e kishte menduar kurrë se ai donte ta vriste dhe për këtë arsye ajo nuk ngriti padi civile kundër tij.
“Fillova të bërtas”, rrëfeu gruaja. “Burri im u kthye nga unë dhe as që i ngjante atij. E pashë teksa doli nga dhoma për të arritur në dritare dhe u hodh.”