Nga Ylli Pata
Ministri i Brendshëm Taulant Balla, ka marrë përsipër me nismën e vet që të mos shesë më pronat e sekuestruara të krimit të organizuar.
Një model që në Itali ka qenë i njohur kryesisht për pronat e klanit më të frikshëm të Cosa Nostra-s, atë të Corleones që drejtohej nga Toto Riina, apo të krerëve të Camorra-s e Ndragheta-s.
Sot Corleone nuk është më një vend ku nuk guxon kush të hyjë, pronat e bosit më të frikshëm të mafies italiane, menaxhohen nga një organizatë rinore që prodhon verë e vaj ulliri antimafia. Madje edhe makaronat Padrino, janë pjesë e menaxhimit të kësaj organizate,
Balla prezantoi këtë të enjte në Durrës rastin e një apartamenti të sekuestruar, që nuk ishte i një mafiozi. Por të një zyrtari të lartë, përkatësisht Kryeprokurorit të dikurshëm të Republikës, Adriatik Llallës.
Me Taulant Ballën ishte prezent edhe ambasadori i Bashkimit Eruopian në Tiranë, Silvio Gonzato, i cili, foli për ndjekjen e parasë. Në fakt ka ndodhur për herë të parë rikthimi i pronave të plitikanëve në aset publik. Ishte një apartament i vogël pranë detit në Durrës, por që simbolika ishte shumë më e madhe sesa kuadratura e tij.
Është realisht aseti i parë pronësor që është sekuestruar dhe vënë në shërbim publik. Por është pak fare dhe jo ai që presin njerëzit. Të cilët sipas sondazheve, pritshmërinë, më shumë se odiseja gjyqësore e politikanëve e zyrtarëve të korruptuar e kanë pikërisht tek kthimi i tyre në asset publik. Por ky nuk mund të jetë një zgjidhje e njëanshme apo edhe e stafit të Taulant Ballës.
Ky është realisht debati. Ku duhet të shkojnë asetet e përfituata nga pronat e zyrtarëve të korruptuara? Mund ta vendosë një ministër i vetëm, qoftë edhe ai i Brendshëm? Mund ta vendosë Këshilli i Ministrave? Apo edhe Parlamenti? E mira do të ishte që kjo të zgjidhej me nje referendum popullor të nivelit të lartë, pasi njerëzit mezi presin të shkundin votën pikërisht për ata njerëz që i konsiderojnë problem i madh në vend.
E këtu nuk është në pyetje një apartament, apo një terren pasi të gjithë dinë posedimin pronësor të politikanëve, për të cilët mendojnë se nuk i kanë siguruar me të drejtë. Njerëzit e konsiderojnë një apartament 80 metra katrorë një shaka, ata presin t’i vihet shiriti në Gjirine Lalzit, apo në komplekset e tjera rezidenciale ku kanë pronat politikanët. Po kujt duhet t’i jepen këto prona? Ja kjo është çështja