I ftuar në A2 CNN, në Ditarin e Mesditës, deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj ka zbuluar arsyen se përse kanë munguar sot në Kuvend, në një seancë ku u miratua marrëveshja e emigrantëve, por edhe ligje të tjera të rëndësishme. Ndalur këtu, Alibeaj tha se është kundër pasi “Shqipëria po etiketohet si vend i tretë. Sa i përket Amnistisë Penale, ai ripërsëriti se PD, (grupimi i Lulzim Bashës) është kundër pasi mazhoranca po “fut duart” në produktin e SPAK. Një koment e pati edhe për protestën e opozitës së Rithemelimit.
Një ndër çështjet që ka marrë më shumë vëmendjen e opinionit publik është edhe “lufta” mes mazhorancës dhe opozitës për Aministinë Penale. I ftuar në Ditarin e Mesditës nga Denisa Pasholli, Alibeaj tha se nuk kanë pranuar propozimin e fundit të mazhorancës për shkak se “fusnin duart” në strukturat e reja të drejtësisë, SPAK dhe GJKKO.
“Që nuk ishim sot në Kuvend e bëmë me dije që dje. PD ka paraqitur amendamentin ndaj projektligjit të Amnistisë me të cilat synonim që nëpërmjet projektligjit të gjithë protestuesit 2018-2020, protestat masive të organizuara nga PD dhe aleatët, si edhe shoqëria civile, pra kjo pjesë e revoltës meritojnë që nëpërmjet amnistisë të përjashtohen nga vuajtja e dënimit dhe ata që janë në hetim apo gjykim të pushohet çështja, ishte qëndrimi ynë i hapur. Ndodhi në Komisionin e ligjeve që u paraqitën amendamente nga deputet që sot e kësaj dite askush nuk i del për Zot, që synonin të fusnin dorë te veprimtaria e SPAK dhe GJKKO.
Duke u ndalur të marrëveshja e emigrantëve, Alibeaj ka renditur arsyet se përse ai dhe pjesa tjetër e grupit të Partisë Demokratike nuk i dhanë votën. Ai thotë se është e papranueshme fakti që Shqipëria po konsiderohet si një vend i botës së tretë.
“Nuk ka lidhje qëndrimi që kemi mbajtur ne me marrëveshjen e lidhur nga Rama-Meloni. Ne qëndrimin tonë e kemi pasur para sesa çështja t’i nënshtrohej Gjykatës Kushtetuese. A është sot Shqipëria një vend që ofron një trajtim dinjitoz për emigrantët. Jo, nuk është, është një vend që nuk garanton lirinë dhe të drejtat e shqiptarëve brenda Shqipërisë, e jo më të huaj, Nuk jam as dakord me aspektin juridik, që një pjesë e territorit të Shqipërisë t’i jepet Italia. Ato kanë thënë që kur ta marrin vesh që do shkojnë në Shqipëri, do të tërhiqen. Pra Shqipëria na shihet një vend jo i lakmueshëm për Afrikën, si mund ta pranojmë që Shqipëria të konsiderohet si një vend i botës së tretë”, u shpreh deputeti në A2 CNN.
Partia Demokratike e Lulzim Bashës nuk e sheh më protestën si një mjet me të cilën duhet luftuar qeveria. Enkelejd Alibeaj tha në A2 CNN se mënyra më e mirë është mbështetja e drejtësisë së re. Kjo sepse sipas tij
“Mënyra më e mirë për demokratët dhe për shqiptarët janë protestat, ne i kemi ezauruar, mënyra më e mirë është që të mbështesim ato instrumente që janë efektiv ndaj kësaj mazhorance, të mbështesim drejtësinë e re, nëse ka një rrezik real për qeverinë, është drejtësia”, tha Alibeaj.
/f.s