Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka prezantuar sot kandidaturën e Bujar Osmanit për President të Maqedonisë së Veriut.
“Si asnjëherë më parë ju ftoj të bëhemi bashkë, dorë për dorë, krah për krah ta zhvillojmë betejën e fundit të luftës së përjetshme deri te fitorja e madhe dhe ti themi bashkërisht një zëri “Jo Rusisë, Po Europës”. Jam gati për ti prirë betejës së fundit dhe vendimtare për bashkim dhe integrim bashkë me ju. Zgjedhjet që kemi para nesh, parlamentare dhe presidenciale janë të një rëndësie vendimtare në këtë betejë. Në këto zgjedhje kemi vendosur që të kërkojmë nga ju të qëndrojmë bashkë, të rreshtoheni me ne, në kërkesën për ndryshimin e Kushtetutës dhe zgjedhjen e Presidentit dhe zv.Presidentit të Shtetit në Kuvend, përfshirjen e komunitetit bullgar dhe të tjerëve në Kushtetutë dhe ti themi “Jo Rusisë dhe Po Europës”. Para jush po bëjmë zotimin e njëmendë që ne nuk do të jemi pjesë e asnjë qeverie e cila nuk ndryshon kushtetutën dhe do të dalim në opozitë për t’i luftuar dhe mposhtur këto kërcënime ekzistenciale për vendin tonë”, tha Ahmeti.
“Për këtë kërkojmë besimin tuaj sepse këto punë duan forcë, parti të fuqishme dhe të vendosur që do ti bëjë ballë punëve të mëdha, të dëshmuar në të kaluarën që ka realizuar premtime të mëdha dhe ka bërë atë që ka thënë. Bujari ka dëshmuar veten në skenën vendore dhe ndërkombëtare dhe ka ngadhënjyer në betejën kundër Rusisë dhe ka qenë pjesë e ekipit tonë për ndryshimin e Kushtetutës, anëtarësimin në NATO dhe nisjen e negociatave për në BE. Me Bujarin po e nisim referendumin më të rëndësishëm të kohës dhe betejën e radhës për ta fituar besimin tuaj që ta zgjedhim Presidentin në Kuvend me ⅔ e votave dhe me Badinter për të realizuar vizionin tonë për President konsensual”.
/f.s