Nga Enxhi Hoxha
Alexei Navalny, një pigment rebel që e njolloste përvijueshëm tablonë e totalitarizmit të Putinit, u bë kurbani i vetëzgjedhur i Kremlinit! Lider kalibri i opozitarizmit rus, shpirti qëndrestar që mëtonte sabotimin e ekspozitës së regjimit, asgjesimin e kupolës së shtetit, radikalizimin e sistemit, zgjodhi t’i buzëqeshë me dinjitet vdekjes. Funerali i Navalny-t, synohej si i vetmi perimetër sigurie, që moderonte moçalin e harlisur të pushtetit të roitur putinian. Si komedi në vaki, u vendos në skenë mbrëmë, protesta e kampit opozitar shqiptar. Aksiomë e ricikluar, përbetimi i profecisë berishiane, se ai është Navalny i Shqipërisë, preludi i regjimit, dëshmori i regjisë qendrore të Edi Ramës, heroi mitologjik modern! Një pulitje e mbllaçitur në ekstazë mbi autopsinë e Navalny-t!
Dualiteti opozitar i Rusisë dhe Shqipërisë është konfrontimi grotesk përmidis kauzës dhe karriges, pushtetit dhe përfitimit, idealit dhe zhurmës, besimit dhe gënjeshtrës! Teza e minorancës shqiptare, është gajasje publike pa mesazhe të koduara, aspak e reformuar, as e rafinuar, realitet sade, që ndiqet qorrazi, e rrëmbyer dhe e suprimuar nga një kast i vjetër, me qëllim fundor zhvatjen pa teklif. Opozita, laborator i vorbullit të pesticideve, që bluan interesat personale të Sali Berishës dhe sekuestron paturpësisht demokracinë e Shqipërisë! Sa fatkeq është ky komb, që dritarja e shtëpisë së një ish-politikani i dizenjon itinerarin e farsës së ndërveprimit publik. Kush konsumon aksionin opozitar aktual, është klient i një menu-je të konservuar prej vitesh, që bekohet nga rezistenca e përbotshme e Sali Berishës. Rendi i ditës së axhendave me notë proteste, dihet, refren i një hiti pa rekorde, fjalime të mërzitshme në podium, zotim i një revolucioni plebishitar, mosbindje civile, togfjalëshi që përçon shumë, por s’premton asgjë. Kronologjia e divizës së opozitës, s’risjell risi, as shpresë, as frymëzon, as motivon, as inkurajon, shërbesë e vdekur së gjalli. Agonia e trupës politike të vendit, mbetet fatkeqësi kombëtare. Nje momentum i mugët!
Gostitë e dollitë e Flamur Nokës dhe dëshmorëve të rënë për SB-ën, që plaçkisin pushtetin legjislativ si pronë private, janë papranueshëm panorama e një vizioni të kalbur, e një vokacioni të murmur, e një denigrimi e degradimi institucional. Teksa, Edi Rama miraton nën preambulën e qeverisjes, pa i filtruar amendimet e ligjeve, me regjinë e pluhurit mbi kartonat e kuq, ky vend lind e perëndon pa trup opozitar, sepse sindroma e Stockholmit i ka kapluar, me gjasë jo mendjen paçka servilizmit, por në shpagimin e interesave të fertilizuara në kohën e lidershipit të Berishës. Koktejle molotovesh gjuheshin mbrëmë drejt policëve, u kërkua kanosja e perimetrit të kryeministrisë, pa u kalkuluar se para së gjithash, rrezikohej jeta e mbarëvajtësve të rendit publik, bashkatdhetarëve tanë, qytetarëve të kësaj republike, që asgjë borxh s’i kanë as Sali Berishës, as idhtarëve të tij, e as çetës së komanduar. Në kushtet e gjëmës së një partie të katandisur, ka një zgjidhje. Aty ku ka vullnet, ka rrugë, sado të mjegullta qofshin, përpjekja e afron diellin, ngroh shpresën! Në sofrën e PD-së ka një eksponente politike, e vetmja nuancë, që frymëzon idealin e një tabloje si ajo e Navalny-t. Majlinda Bregu, ish-ministre e integrimit, e spikatur për arritjet e saj në europianizimin e vendit, me një background intelektual të pashoq në PD dhe investim vetjak të vijueshëm, e guximshme për mosmiratimin publik të Bashës, dëshmoi se ka edhe karakter politik kur s’shërbeu si marionetë e kryetarit Lulzim. Bregu, një figurë absolutisht e denjë për të mos lejuar përbaltjen e faktorit shqiptar nga diplomacia dhe gjeopolitika ndërkombëtare, si dhe për t’i dhënë mjaftueshëm kredibilitet përfaqësimit kombëtar. Majlinda Bregu, e ardhmja e pakompromistë e PD-së!
E keqardhur të dëshmoj se fajtori real për kaosin dhe regresin e Shqipërisë, është një dhe i vetëm, populli ynë! Të gjithë ne, publiku entuziast i ulur këmbëkryq e vigjilent për të reaguar në fraksion sekondi ndaj show-ve të promovimit të injorancës, njerëzve të hiçgjë-së, legjitimojmë me vetëdijen e pavetëdijshme, udhën pa krye të destinacionit social, ekonomik, shëndetësor, infrastrukturor, arsimor e zhvillimor të vendit.
Gjithsesi, ne s’ngurojmë të gjejmë zgjidhje edhe kur jemi asgjëkundi e kuptojmë asgjësendi, sekuestrimi i pashaportave të mjekëve mjafton, sepse ata duhet të jenë me pahir, të ngujuarit e seleksionuar nga aksioni i kastit të qytetarëve, spektatorëve me telekomandë në njërën dorë për të ndjekur skenare televizive primitive, e me telefon në tjetrën dorë për të gjetur zgjidhjen e problemeve të munguara, si dhe sehir korrupsionit!
Në asnjë perceptim populist, në epokën e demokracisë moderne, s’do përpilohej rezistenca, protesta, qëndresa e Navalny-t kundër regjimit më të pamëshirshëm të kohës. Leksioni i tij dhe familjes, e cila u përbetua për mosbraktisje të kauzës, janë direktiva të përtej jetës, të cilat ne nuk i aplikojmë, por së paku le t’i analizojmë, përvetësojmë, përqafojmë!
Mosbindje civile është parrulla e gjithhershme, që kurrë s’fertilizoi një Navalny, sepse hero s’është hajduti, as përfituesi, as abuzuesi, as autori i tenderave, as pagëzuesi i koncesioneve e as tradhëtari i kombit. Faleminderit Alexei Navalny, për heroizmin, dashurinë për atdheun, kauzën që jetësove, parimet që s’devijove, idealizmin që dëshmove… Njerëzit e historisë lindin, nuk bëhen!