Fushatës së anëtarësimeve të reja në Partisë Socialiste në Tiranë i është bashkuar dhe Kampioni i Europës në Peshëngritje, Erkand Qerimaj. Nga Njësia 1 në kryeqytet, ku mori edhe kartën e anëtarësisë, Qerimaj tha se Tirana është bërë një qytet Europian, që ofron shumë e shumë më tepër falë PS-së me në krye Edi Ramën dhe kryetarin e Bashkisë, Erion Veliaj.
“Më bëhet qejfi që jam pjesë e një skuadre fituese, siç është skuadra jonë e madhe. Kur isha në kampionatin europian, në Sofje, më mori malli për Tiranën dhe pyesja veten pse. Sepse Tirana është bërë një qytet Europian, që ofron shumë e shumë më tepër, dhe kjo falë skuadrës tonë të madhe, PS-së me në krye zotin Edi Rama dhe kryetarin e Bashkisë Erion Veliaj, që kanë bërë të mundur që të bëhen këto ndryshime për Tiranën, ku kanë ardhur mbi 10 mln turistë”, tha Qerimaj.
Duke e cilësuar PS një skuadër fituese, kampioni në peshëngritje nënvizoi se e ardhmja e vendit është në duar të sigurta. “Të jeni të sigurt se jeni te skuadra fituese dhe nuk është një skuadër fituese sepse ka kundërshtarë të dobët. Por është një skuadër fituese që pretendon të bëhet te më të mirët në Europë dhe në botë, jo me këta kundërshtarët që kemi këtu. Gjej rastin që të falenderoj kryetarin e Bashkisë, jo për ndryshimet që janë bërë, që dihet që janë bërë, por e falenderoj si qytetar i Tiranës për ndryshimet që ka Tirana.
Në momentin kur kam ardhur në Tiranë, si shkodran, mora biçikletën, por nuk kisha ku të lëvizja. Tani falë kryetarit të Bashkisë lëviz lirshëm me biçikletë, plus mbjellja e pemëve… janë gjëra me vlerë që ndikojnë shumë në jetën tonë, në jetën e fëmijëve tanë dhe në të ardhmen e vendit tonë. Dhe mendoj se e ardhmja e vendit tonë është në duar të sigurta”, deklaroi Qerimaj./m.j