Deputeti i PD, Edi Paloka tha në emisionin Now në Euronews Albania se protesta e sotme ishte edhe një test për opozitën që për 2 vite ka kaluar një krizë të rëndë.
Paloka tregoi se ishte skeptik për pjesëmarrjen në këtë protestë për shkak të numrit të madh të shqiptarëve që janë larguar nga vendi dhe faktit që shumë njerëz ishin shprehur se kishin frikë të dilnin në protestë.
“Ishte edhe një lloj testimi për ne se jemi pas 2 vitesh që situata e opozitës nuk ka qenë aspak e mirë. Ka disa faktorë që mua më trembnin; janë larguar mbi 1 mln shqiptarë nga vendi dhe pjesa më e madhe janë ata kundër qeverisë, ka edhe faktorë të tjerë represivë që përdor qeveria. Shumë qytetarë shprehnin frikë në takimet që kemi pasur këto ditë dhe kjo më vinte në dyshim a do e marrin guximin apo jo për të ardhur. Ajo që ishte domethënëse sot është që në atë shesh kishte dalë Tirana. Pashë edhe disa personazhe të habitshëm që janë të majtë dhe kanë qenë funksionarë të PS”, tha Paloka.
/f.s