Policia e Tiranës ka shoqëruar për të marrë në pyetje si të dyshuar për vrasjen e ish-policit Ajet Zeqaj, vëllezërit e ish-bashkëshortes së tij. Burime nga grupi hetimor për Panorama thanë se pas vrasjes së ndodhur të mërkurën tek ish- Blloku, 4 ish-kunetërit e Zeqajt janë thirrur në Drejtorinë e Policisë së kryeqytetit.
Ata janë kërkuar nga hetuesit për të dhënë deklarime, pasi dyshohet se mund të kenë dijeni se kush është autori i ngjarjes.
Nisur nga konfliktet e mëparshme që ata kanë pasur me ish-bashkëshortin e motrës së tyre, para divorcit, Policia nuk ka përjashtuar si mundësi që motiv i krimit mund të jenë edhe konfliktet që ka pasur çifti.
Vëllezërit e Leonora (Zeqajt) Hysenit janë pyetur veçmas njëri-tjetrit, në ditë të ndryshme, në mënyrë që të dëgjoheshin deklarimet personale të secilit.
Burimet thanë se pas dëshmisë së tyre, ish-kunetërit e Zeqajt janë lënë të lirë, por me kërkesën që të mos largoheshin nga Shqipëria, pasi mund të thirren sërish për interes të hetimit. Panorama