Ditët kur takimi i Skënderbeut me Flamurtarin cilësohej si kryendeshja e kampionatit kanë përfunduar, teksa skuadra kampione fluturon drejt titullit të gjashtë radhazi, ndërsa kuqezinjtë duhet të falënderojnë Vllaznisë që sot nuk gjenden në zonën e ftohtë të rënies nga kategoria.
Një super Hamdi Salihi me tre gola ndihmoi korçarët të arrinin fitoren më të thellë kundër Flamurtarit, teksa Skënderbeu fiksoi shifrat 5-1, që e mbajnë katër pikë para Partizanit. Flamurtari, i cili mban vendin e tetë, me dy pikë më tepër se Bylis që u mund në shtëpi nga Vllaznia, nuk ofroi aspak rezistencë përballë skuadrës vendase, duke u shfaqur që në fillim një skuadër e dorëzuar.
Nuk heq dorë Partizani në luftën për titull, por fitorja në Durrës vetëm sa ruan diferencën prej katër pikësh në fund të fazës së tretë. Të kuqtë fituan 2-0 dhe janë të sigurt në vendin e dytë, të cilin nuk ua rrezikon kush.
E ndërsa titulli duket formalitet, lufta e vërtetë është ajo për vendin e tretë, i cili siguron një biletë për Europa League. Gjithmonë e më larg këtij objektivi është Tirana, e cila nuk shkoi më larg se barazimi 1-1 kundër Kukësit. Këtyre të fundit iu ndërpre seria e fitoreve radhazi, por mbajnë vendin e tretë, të distancuar edhe një pikë nga Teuta. Për Tiranën nuk pati vlerë goli i Gjergji Muzakës dhe rënia është e vazhdueshme.
Bardheblutë janë në vendin e pestë, megjithatë, ajo që largon shpresën nuk është diferenca në pikë, por ajo në paraqitje.
Dritan Ikonomi