Ndotja e ajrit llogaritet se në Kosovë shkakton mbi 800 vdekje të parakohshme në vit, thonë përfaqësues të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Skënder Syla, udhëheqës i kësaj Organizate në Kosovë, tërheq vërejtjen për rëndësinë që ka mbajtja e mjedisit të pastër për shëndetin dhe jetën e njeriut.
“Këtë fakt e argumenton edhe raporti global i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, që vë në ndërlidhje të ngushtë kushtet e ambientit dhe individët që i ekspozohen mjedisit jo të pastër, e që kanë predispozita për sëmundje të ndryshme”.
“Në kontekstin kosovar, ne jemi të vetëdijshëm që kemi probleme të shumta mjedisore, qoftë sa i përket ndotjes së ajrit, të ujit e tokës, por edhe preparateve të ndryshme, pasi dihet se zona të shumta të Kosovës kanë qenë historikisht të ndotura nga mbetjet e plumbit, zinkut etj” , thekson Syla. Qeveria e Kosovës, sipas Skënder Sylës, duhet të ndërmarrë masa të domosdoshme që në vitet në vijim të ketë përmirësim të ndjeshëm të kushteve mjedisore ku jetojnë qytetarët në vend.
Ndërkaq, Ilir Morina, kryeshef ekzekutiv në Agjencinë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, agjenci kjo që funksionon në kuadër të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, thotë se sa i përket cilësisë së ajrit, ka përmirësime në këtë aspekt, krahasuar me vitet paraprake, për shkak të masave që janë ndërmarrë vitet e fundit.
“Raporti i fundit i vitit 2015 tregon se ka ndryshime pozitive sa i përket cilësisë së ajrit. Nuk do të thotë që është perfekt, sidomos në muajt dhjetor,janar e shkurt, kemi tejkalime për shkak të ndezjes dhe përdorimit të ngrohjes së stufave dhe përdorimit të ngrohjes nga ana e qytetarëve nga lëndë, si thëngjilli, që lirojnë gazra. Por, kur tejkalohet, ajo tejkalohet deri në 77 mikro-gram për metër kub, e që 50 mikro-gram është e lejuar. Pra, nuk tejkalohet ndotja mbi 20 për qind, derisa 10 deri 15 për qind është e lejuar me ligj”, thotë Morina.