Të lindësh në kryeqytetin e çdo vendi natyrisht është privilegj i çdo qytetari të tij. Privilegji të krijon padyshim komfortin që të jesh pjestar i jetës së gjallë të këtij qyteti, por edhe një detyrim për të ndjekur rrjedhat e zhvillimit të tij, shkurt për të njohur edhe historinë se si u zgjodh si kryeqytet i Shqipërisë, veçanërisht ishte edhe lutja e parisë së qytetit në vitin 1920 në Kongresin e Lushnjës. Kishte më parë edhe një lutje të parisë së Shkodrës dhe të Durrësit të cilat jepnin edhe argumentet e tyre për meritën që gëzonin për të patur kryeqytet qyetet e tyre. Delegatët e Tiranës kishin mendimin që Kongresi të zhvillohej në Tiranë, sepse kushtet dukeshin më të favorshme. Vendimi që qe marrë për tu mbledhur Kongresi në Lushnjë nga Tirana u dërguan letra të gjitha rretheve që të gjithë delegatët të niseshin në Lushnjë. Si në qytet edhe në fshatrat e Tiranës u organizuan mbledhje në mbështetje të vendimeve të Kongresit të Lushnjës. Frymën e lartë patriotike e përshkruajnë edhe dokumentat që u nënshkruan në Shëngjergj, Bastar, Zall dhe Gropaj të Tiranës. Ishte kristalizuar një lëvizje patriotike në Tiranë ku merrnin pjesë intelektual dhe mësues në Shoqërinë “Dituria”, ashtu siç kishte lidhur besën populli i Tiranës, për mbrojtjen e qeverisë së Lushnjës nga sulmi që përgatiti Mustafa Kruja me mercenarët e tij. Populli i Tiranës i doli në krah forcave të udhëhequra nga Bajram Curri për të shpartalluar forcat e Osman Balit dhe agjentëve të tjerë të Esad Pashë Toptanit në Shijak e Prezë. Refik Toptani dhe Ibraim Afiz Dalliu ishin delegatët e Tiranës në Kongresin e Lushnjës falë kontributit të tyre patriotik, në përkrahje të Kongresit të Manastirit dhe krijimin e shollës “Normale “ të Elbasanit. Qeveria e dalë nga Kongresi i Lushnjës do të kish rezidencën në Durrës ku kish qenë ish qeveria e e vjetër. Komanda italiane e divizionit XIII që ndodhej në Durrës, urdhëroi heqjen e flamujve festiv shqiptarë dhe ndaloi organizimin e manifestimeve popullore. Gjeneral Raimondi shpalli shtetërrethimin, forcoi pozicionet ushtarake te Ura e Dajlanit dhe me një shpallje publike më datë 3 shkurt urdhëroi ndalimin e hyrjes në qytet për çdo të armatosur. Ky ishte një provokim i rrezikshëm nga ana e italianëve. Më datë 6 shkurt delegatët ishin në Kavajë dhe nuk ngelej zgjedhje tjetër përveçse vajtjes drejt Tiranës. Megjithë që italianët morën të njëjtat masa si në Durrës, anëtarët e këshillit të lartë dhe të qeverisë këtë rradhë nuk u tërhoqën, por më 11 shkurt hynë në Tiranë të pritur me ngrohtësi nga populli i Tiranës dhe pa u goditur nga pushtuesit italianë. Pasi u shpall kryeqytet i atdheut, Tirana ishte qendra e luftës së elementëve demokratë për konsolidimin e shtetit shqiptar dhe zhvillimin e tij demokratik. Tirana erdhi si një gurgullim etimologjike në kohët e hershme duke e bartur si një partitur emrash që nga TIRANNEA, TERKAN, THERANDA, TERONA, TURA, TËRANDAT, Randësia”. Sipas historianit Tuqididi kur shkruan për Epidamin, tregon se kur u ndanë pakica aristokratike nga shtresa të tjera të shoqërisë të cilët u vendosën në një vendbanim ilir në bregdet dhe në afërsi të qytetetit në limanin Dyrrakje. Ky qyetet njohu zhvillime e tija ekonomike dhe kishte shtrirjen deri në thellësi të fshatrave të Tiranës e cila dëshmohet nga gjetja e monedhave ilire në fshatrat e Saukut, Shish-Tufinës, dhe Qesarakës. Këto thesare të ruajtura nga grabitja e luftrave të Çezarit me Pompun në trevën e Tiranës. Zbulimi i shpellës së Pëllumbasit 22 km në Juglindje të trevës së Tiranës e të tjera dëshmi, vërtetojnë se kjo trevë është banuar qysh nga koha e neolitit, qysh në kohët parahistorike. Pas ndarjes së Perandorisë së Romës krahina e Tiranës u bë pjesë e “Perndorisë Bizantine e Lindjes”, ku bënte pjesë edhe “Epiri i ri” dhe njohu një zhvillim të madh. Më pas në shekullin e V dhe VI të shumta janë burime që flasin për një shkatërrim tjetër në vendet ilire nga dyndjet slave. Në 100 e ca vjetë më parë relievi i tokës vazhdoi të pësonte ndryshime, shumë laguna u kthyen në këneta e ca toka të fushës së Tiranës u përmbytën nga ujërat e u bën të lundrueshme. Krahina të ndryshme të Shqipërisë pas vendosjes së regjimit Osman nga shekulli XVI Tirana nisi të ringjallet.Venedikasi Lorenxa Bernardo, në vitin 1591, i cili ndiqte rrugën përmes Fushës së Tiranës për në Strugë e Ohër, shkruan në një raport…, “Në rrugën që kalon përmes Fushës së Tiranës pashë karvane me 500 kuaj që vinin nga Struga dhe shkonin në Lezhë. Gojëdhëna se themeluesi i Tiranës ishte një farë Sulejman Bargjini (Mulleti) me vendlindje në fshatin Bargjin të Fushës së Tiranës dhe banues në Mullet, fshat buzë Erzenit tregohet si një histori sulltanësh. Historia me një djal të ri të cilin Sulejmani e mbante për bari dhe këtij iu faneps në ëndër sikur u bë një luftëtar i madh dhe qysh në atë pak rëfim të djalit, Sulejmani e ndjeu se ky do të bëhej një njeri i madh dhe i tha që të linte dhentë e përgatit shumë mirë dhe e dërgoi në Stamboll. Pas disa vjetësh Sulejman Bargjinit i vjen një ftesë nga sulltani dhe ai kur sheh në pallat ish bariun tashmë vezir u habit. Për mirnjohje veziri e bëri Sulejmanin pasha. Thuhet se Sulltani pas kësaj e dërgoi për lufë në krye të një ushtrie Sulejmanin drejt Teheranit, ku korri suksese, dhe si shpërblim i dha një ferman mbi pashallëkun e Fushës së Tiranës. Sulejmani duke kaluar nëpër Tiranë, që atëherë s’ishte tjetër veçse pyll, gurë dhe rërë, sheh një plak që po tirrte. Sulejmani e pyet se çfarë po punonte, plaka iu përgjegj “Po t’iranë”. Sulejmanit i pëlqeu kjo shprehje dhe urdhëroi që kësaj nahije, t’i vihej emri Tiranë dhe të ndërtoheshin në atë vend një xhami, një hamam dhe një furrë. Sulejmani ra dëshmor në Tiberiz duke luftuar dhe e sollën të ballsamosur në Tiranë, dhe e varrosën në muret e xhamisë që ishte, me emrin e tij. Sulejmani themelet e para të qytetit i hodhi aty ku sot është busti i “Partizanit të panjohur”. Historiani Halil Jenalçik e shpjegon ndryshe qytetin Osman, me një xhami e një han me një furrë dhe hamam dhe gazermë ushtarësh për ruajtjen e karvaneve nga kusarët. Sulejmani krijoi një qendër tregtare me kushte normale me punishte dhe zejtari që ndikuan në zhvillimin e shpejtë të tij dhe rritjen e shpejtë demografike. Evlija Çelebiu rreth vitit 1664 në vizitën që bëri në Tiranë, shkruan, “Qyteti ndodhet në një fushë të gjerë, ka shumë xhami, banjo, dyqane, Shtëpitë janë të mbushura me tjegulla të kuqe qeramike”. Në fillim të shekullit XVIII, qyteti i Tiranës mori një zhvillim të gjithanshëm. Pjesa qëndrore e qyetit kishte më shumë se 1000 shtëpi, rreth 800 dyqane dhe punishte zejtarie, disa xhami e kisha, banjo publike e godinat e ndryshme qeveritare e administrative. Mulla beu një nip i Sulejman Bargjinit nisi themelimin e xhamisë më 1793 në sheshin kryesor të qytetit. I biri i tij Haxhi Et’hem Bej Tirana e përfundoi veprën e tij më 1820 duke ndërtuar pranë saj kullën e sahatit po në këtë vit. Ibrahim Bargjini i shkolluar në Venecia u bë pasha dhe u fut në konflikt me familjen krutane Toptanase. Toptanasit në intrigën e tyre për të pushtuar fushat e begata të Tiranës bën aleanca me Bushatllinjtë e Shkodrës, në shfrytëzim të momentit Kurt Pasha i Beratit i shërben Portës së Lartë dhe hynë në Tiranë me luftë. 2000 luftëtarë tiranas, të komanduar nga qytetari trim Asllan Plaku e shpartalluan fuqinë e Kurt Pashës, i cili për pak u zu rob. Familjet e bejlerëve dhe agallarëve ndërtuan rrugë dhe ura, kështu familja e agallarëve Beshiri që merrej me tregti, në vitin 1848 ndërtoi mbi lumin Erzen urën që mbante emrin e tyre. Po ashtu u ngrit ura e Tabakëve. Në Tiranë përveç esnafëve të vegjël, kishte edhe dy esnafë të mëdhenj, ai i Tabakëve dhe ai i Terzive. Në vitet 1830-1840 siç shkruan Rroth, qyeteti i Tiranës numëronte 8000 mijë banorë dhe katërqind e tetëdhjetë dyqane. Martesa e 4 vajzave të Ahmed pashë Bargjinit me katër dhëndurë të familjeve feudale fqinje, sidomos me ato të dyerve Toptanase të Krujës i shqetësoi tiranasit dhe loja hapet deri në konfliktin me Ali pashë Tepelenën dhe përfundimisht kollovarët u bënë të zotët e pronës së Bargjinasve. Tirana herë i bashkëngjitej sanxhakut të Ohrit dhe herë atij të Shkodrës, por edhe u bë pjesë e prefekturës së Durrësit. Çezmat e Tiranës ishin të shenjta për kohën, janë shenja të sigurta të një qyeteti modern. E para Strehë Vorfënore u ndërtua nga bamirësi Refik Toptani më 1917. Para ardhjes së Princ Vidit në gazetën “Dajti” , M.Frashëri argumenton pse Tirana duhej të bëhej kryeqytet. “Tirana formon qendrën natyraletë Shqipërisë… qendra e nacionalizmës dhe e patriotizmës shqiptare”, shkruante ai në disa numra të gazetës “Dajti”. Më 10 shkurt të vitit 1920 Tirana numëronte 20.000 banorë. Në vitin 1938 kishte 38.000 banorë, dhe po ashtu kishte 140.000 rrënjë ullinj, pazari i Tiranës numurënte 700 dyqanePlani i parë urbanistikë, pas shpalljes si kryeqytet të Tiranës më (11 shkurt 1920) dhe kthimit në një qytet modern do të hartohej nga Eshref Frashëri në vitin 1923 dhe më pas u plotësua nga Instituti Gjeografik i Firences. Arkitekti i shquar Italian Armando Brasini edhe pse njihet si krijues i planeve të mëdha urbanistike të Italisë fashiste ka lënë gjurmë të rëndësishme në arkitekturën e qendrës së Tiranës. Në vitin 1912-1922 u themelua Bibloteka Kombëtare. Ajo në fillim kishte në fundin e saj 5000 mijë libra, shumica e të cilave ishte në gjuhë të huaj. Tirana krahas rritjes e zhvillimit të saj ekonomiko-social-kuluror pati edhe thagmat e saj, Ushtritë e huaja e kthyen në shesh luftimi, por edhe luftrat e brendshme për pushtet të parlamentarëve shqiptarë në vitet 1921 nuk ishin të pakta, po ashtu tmerret e luftës së dytë botërore, jo më pak kanë lënë gjurmë në historinë e këtij qyteti. Mjafton të kujtosh vrasjen e Qemal Stafës , apo heroizmin e Kodrës së Kuqe, luftën e çetës së Babë Myslymit me trimat e tij, masakrën e 4 shkurtit e qindra episode nga lufta e lavdishme nacional-çlirimtare e popullit tonë. Harrohen bombardimet e aleatëve që prodhuan rreth 100 viktima lufte. Po nuk mun të lihet pa përmendur familjen e Daj Cenit nga Shëngjergji i cili i dha luftës 13 dëshmorë. Debatikasit e vegjël që u rreshtuan në krah të vëllezërve e motrave më rritur në luftë kundër fashizmit. Ta duash Tiranën pa ditur se ajo ishte urritur për art e kulturë dhe pati një zhvillim të madhë të ngritjes së kinemave, të Radios të shtëpive botuese dhe pati një jetë artistike të gjallë intelektuale para vitit 1944. Erdhën nga Italia aktorë e këngëtarë më të zëshëm të kohës, të cilët dhanë shfaqe në sallat e kinemave të Tiranës. Tirana vërtet nis të rëndohet pas viteve 1944 e këtej, por siç shkruan gazetari Indro Montaneli në vitin 1936, ajo kërkon më shumë se madhështoren gjiganden e të sjell ndërmend Manhatanin në një fushë afrikane, ajo do të jetë një Milano a një Romë e së ardhmes”. Kështu ajo përjetoj edhe ditën e ngrohtë të lirisë më 17 nëntor, por edhe acarin e ftohtë të sistemit diktatorial të PKSH. Nisin krahas zhvillimit ekonomiko kulturor të popullit edhe gjyqet popullore kundër klasave të përmbysura dhe armiqve brenda gjirit të partisë. Tiranasit e atyre viteve të para të çlirimit ishin entuziastë të paripandreqshëm, dhe prisnin që një e ardhme e ndritur do t’i ndriste, por një pjesë u zhgënjyen dhe u burgosën e u pushkatuan, sipas valëve të luftës së klasave, dhe orekseve të alencave me vllezërit e motrat komunistë kudo në botë. U hapën çerdhe, shkolla e u ngritën uzina e kombinate. Undërtuan 50.000 apartamente, u ngritën rreth 130 ndërrmarje tregtare. U krijua një shtresë e mirë e inteligjencës falë shkuarjes në universitet e vendeve të Demokracive popullore, të cilët i vunë dijet e tyre në zhvillim të atdheut. U hap Universiteti i Tiranës dhe u shtuan shumë qendra social kulturore në fshat dhe në qytet. U ngritën Ansamble dhe orkestra simfonike në rang kombëtar, opera dhe teatri, muzeume pallate kulture, galeri arti e stadiume. Burgjet e diktaturës ishin aq pranë qytetarit të Tiranës sa dëgjoheshin edhe ulërimat e të burgosurve, ndaj shpirti bujar i tiranasit, aq lirik dhe i urtë, nuk bëzante, shikonte hallet e tij, e kur kishte ndeshje futbolli ekipi i 17 Nëntorit e nxirrte dufin me një të bërtitme të fisme “ Forca çunat e Tironës”. Kishin me çfarë e shtynin ditën rinia e Tiranës asaj kohe, me xhirot e famshme tek Broduhej, e vajtje ardhjet në bulevard me qenë se ishte bërë një ritual i përditshëm, ku do të takoje edhe ndonjë mik, apo mikeshë të hershme, që e kishin transferuar , apo internuar me ndonjë qyetet diku larg Tiranës. Ishte një kohë nga vitet 1970 që shfaqeshin filma italian dhe francez në kinema, në televizion kishte me shumicë teatri në ekran, muzikë operistike, rubrika politike e sportive, për filmat ndiqeshin më shumë kanalet italiane, sepse nuk kishte aq shumë televizor nëpër familje. Modë dhe liri në disa sfera të jetës ndihej, por ende nuk është shpjeguar nga politologët tanë, se si erdhi ndryshimi i mbylljes drastike. Rinia e Tiranës arrin një pikë që është në pararojë të emancipimit të shoqërisë shqiptare, tiranasit kudo që shkonin nëpër rrethe dallonin. Nga vinte kjo? Me siguri forcimi i konkurueshmërisë në shkollat e mesme për të dalë shkolla e lartë, sipas statistikave arriti një mesatare aq e lartë në shkollat e Tiranës, saqë mesatarja me 9.1 nuk përfitonte degën e kërkuar dhe duhej të priste vitin e ardhshëm. Për vajzat diploma e shkollës lartë ishte kthyer në një totem për jetën, për djemtë akoma më keq, kushedi ku të hidhnin ushtar, po të mos dilte shkolla e lartë. Bixhos, rrahje, vjedhje e histori dhune prodhonte edhe kryeqyteti ynë, edhe pse ishte diktaturë. Bënin bujë më shumë shefat e policisë si Qemal Balluku i cili e kapte hajdutin me “presh në duar” siç i thonë. Bastet e futbollit ishin normale, por edhe llotaritë e ndërmarrjeve që zgjasnin për tre vjet, ishin format e informalitetit, se ku të linte ai regjim pa punë, ose do shkoje në minierë, apo në fermë të thyeje shatin, ose të syrgjynoste në veprat e pesëvjeçarit. Parazitët thyenin gishtat për të marrë raport , ose të përfitonin raport invaliditeti, një gallatë që është bërë pjesë e filmave shqiptarë si filmi, “Odisea e tifozave”. Tiranasit e Durrësit të cilët e nisnin plazhin qysh në ditët e para të majit deri në muajin tetor ishin edhe të parët në modën e veshjes. Sfilatë ke “Breshka” e djemve dhe vajzave të Tiranës. Heroizmi i biçiklistave ishte i pashembullt në ato ditë të nxehta korriku, kur të plaste goma e biçikletës mes rrugës Tiranë- Durrës, po të mos fusim këtu tifozët e Tironës që shkonin edhe në Kavajë me biçikletë. Ambasadat e huaja ishin në qendër të Tiranës e të shkretët ata të huaj çfarë nuk bënin për të na zënë miq, por ku të linte syri vigjilent i Sigurimit ? Tirana e vizituar nga personalitetet botëore të artit , sportit e politikës është edhe një privilegj i qytetarit të saj, i cili me të drejtë mburret me x apo ypsilonin ka shtrënguar duart kur ka ardhur në Tiranë. Po kjo edhe e ka bërë tiranasin më mëndjemprehtë, e ti shohë gjërat më me realizëm, e jo si një provincial, që çdo gjë e huaj i duket si një ëndër. Vlera e të qenit tiranas shtohet kur ti je edhe një blektor a bujk i mirë që nxjerr nga duart e tua prodhime bio. A nuk po e shohim sot, kur shumë të rinj e shohin fshatin si burim të ardhurash? Falë infrastrukturës rrugore Tirana është sot qendra më e madhe e vizituar nga turistët e huaj në të gjithë Shqipërinë. Natyrisht të parët që duhet ta vizitojnë atë janë qytetarët e saj, të cilët kanë thurrur ëndrrat e tyre për të jetuar në këtë qytet, i cili të josh me perspektivën e tij. Natyrisht nostalgjikët janë kripa e këtij qyteti të cilët e duan atë rrugicën e lagjes vjetër, se me të indentifikohet qyteti i vjetër, e lidhin mijra fije të jetës së tij, por kjo luftë e gjatë mes origjinales, identitetit, dhe arkitekturës moderne, pse jo dhe futuriste, kërkon qytetar të kulturuar e modern, që të debatojnë në mbrojtje të vlerave të vërteta të kryeqyetit tonë të dashur Tiranë.
Përgatiti Kastriot kotoni