Njëri prej dy vëllezërve të kryeministrit Isa Mustafa ka kërkuar azil në dy shtete të Bashkimit Evropian: Francë dhe Gjermani. Të dyja shtetet ia kanë refuzuar kërkesën. Ragip Mustafa kishte migruar me valën e refugjatëve për shkaqe shëndetësore. Kërkonte të operohej në zemër. Ai kishte kërkuar azil në kohën kur kryeministri Isa Mustafa kishte vizituar Gjermaninë. Atë kohë kryeministri nuk kishte shprehur ndjeshmëri për valën e migrimit. Kishte thënë se ata që po largohen kanë iPhone, para e rroga të mira.
Ragip Mustafa ishte në pritje të përgjigjes nga shteti gjerman nëse do t’i pranohej azili, në kohën kur Garda Federale në Berlin ishte rreshtuar për ta nderuar vëllanë e tij, që është kryeministër i Kosovës. Udhëtimi i vëllezërve Mustafa në qershor të vitit të kaluar ishte i njëkohshëm, por i realizuar në rrugë tjera.
Ragipi kishte hyrë ilegalisht në Gjermani me valën e refugjatëve, derisa Isa po vizitonte Berlinin, për herë të parë në cilësinë e kryeministrit të Republikës së Kosovës.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel ia kishte bërë të qartë Isa Mustafës se azilkërkuesit kosovarë nuk kanë shanse për azil në Gjermani.
“Azilkërkuesit kosovarë në Gjermani nuk kanë shanse për azil, sepse vetëm rreth 1,1% prej tyre kanë marrë deri tani një përgjigje pozitive. Ndaj me kryeministrin kemi rënë dakord që të mbështesin sa më shumë zhvillimin e Kosovës në mënyrë që problemet e tyre të zgjidhen në Kosovë dhe njerëzit të mos detyrohen të ikin në vendet e tjera”, kishte thënë Merkel.
Kjo e prekte direkt vëllanë e Mustafës, Ragipin që po kërkonte azil për shkaqe shëndetësore. I duhej operacion në zemër. Azilkekuesi është detyruar që pas disa ditësh të largohet nga Gjermania, pasi autoritetet ia kishin refuzuar kërkesën.
Duhej të kthehej në Francë, në vendin që kishte kërkuar fillimisht azil. Kryeministri Mustafa, gjatë takimit me Merkel, zotohej për kushte të mira për të gjithë qytetarët e vendit.
“Kosova është vend i sigurt dhe ne do t’i zgjidhim problemet tona, në mënyrë që të krijohen kushte sa më të mira për të gjithë qytetarët”, kishte thënë ai.
Megjithatë, kushtet prej atëherë nuk janë përmirësuar. Veçanërisht sistemi shëndetësor.
As qeveritarët e mëhershëm e as qeveria e drejtuar nga Isa Mustafa, që nga dhjetori i vitit 2014, nuk kanë bërë lëvizje drejt përmirësimit të sistemit shëndetësor. Kritikat më të mëdha qeverisjes i drejtohen për keq menaxhimin e spitalit më të madh publik në vend, Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.
Ky spital nuk ka kapacitetet për të trajtuar sëmundjet e rënda dhe pacientët rekomandohen për shërim jashtë vendit. Ministria e Shëndetësisë është kritikuar në vazhdimësi për keq menaxhim të fondit për shërim jashtë vendit. Shuma e këtij fondi nuk mbulon nevojat që kanë të sëmurët nga zemra, kanceri e sëmundje tjera.
Pacientët me sëmundje të rënda vazhdojnë të kërkojnë ndihmë financiare nga qytetarët vullnetmirë pasi që shteti nuk ia ofron mundësinë për shërim jashtë vendit.