Nga Artur Ajazi
Dangëllia, zona më e dëgjuar në Përmet, ka kryeqendër Frashërin. Para 104 vitesh, Frashëri ka patur mbi 540 shtepi, rrjet dyqanesh, ambulancë, shkollë, dhe ishte qendër Komune. Frashëri, ishte vatra ku lindën dhe u rritën me mallin për vatanin, vëllezërit Frashëri, kollozët e mendimit, kulturës dhe Rilindjes Kombetare. Edhe në Dangëlli, lindën burra me emër, trima, patriotë, shkencëtarë, shkrimtarë, komitë, nga atje dolën më pas partizanë për liri, apo dhe drejtues lokalë dhe qendrorë. Nga Frashëri doli dhe Seit Frashëri, (Skenderi). Në Frashër ka një lagje të madhe me këtë mbiemër. Seiti, lindi dhe u rrit nga prindër të mirë, punëtorë, patriotë, edhe pse nuk ishin të aq të pasur në atë kohë, kishin influencë. Seiti u rrit dhe edukua nga babai i tij Hajredini (emrin e të cilit do ta merrte djali i tij i madh më vonë) me frymën e dashurisë për vendin, fshatin, njerëzit. Dhe i tillë u bë.
Seit Frashëri, qysh fëmijë rrinte në odën e burrave, dëgjonte, pastaj dhe kuvendonte. Ishte pjekur para kohe për moshën që kishte. Ngjarja e madhe e Kongresit të Lushnjes, e gjeti Seitin djalosh të ri, që vinte pas pjesemarrjes së tij në çetën e Çerçiz Topullit, i sprovuar në beteja dhe vuajtje në male. Vinte pasi kishte ngritur flamurin kombetar, duke hyrë i pari në Korçë, pas faljes së madhe “Hyrrjetit” nga Xhonturqit. Pastaj, erdhi haberi që në Lushnje në 21 Janar 1920 niste Kongresi i madh, ku vereshin fatet e kombit. Erdhi haberi, të dilnin djem nga çdo krahinë për të mbrojtur punimet 10 ditore të Kongresit, ndaj koha nuk priste.
Seiti ishte i pari që bashkë me 40 burra nga familja e tij dhe zona e Dangëllisë, ngjeshën armët, dhe u regjistruan të parët si “mbrojtës të kongresit”. Brënda 3-4 diteve, u regjistruan dhjetra djem të fshatrave të Dangëllisë, me armë në dorë, dhe hipur kuajve u nisën qysh në 18 Janar 1920 , të prirë nga Seit Frashëri drejt Lushnjes.
Punimet e atij Kongresi zgjatën 10 ditë, dhe ishte një ngjarje e madhe kombetare, nga ku u zgjodh Keshilli i Larte prej 4 vetësh, që do të kryenin funksionin e kryetarit te shtetit, dhe një Këshill Kombetar prej 37 vetesh, me kryeminister Sulejman Delvinën. Kryetar i Kongresit u zgjodh Aqif Pashe Elbasani. Kongresi dihet, se vendosi mbi fatin e të ardhmes së vendit, me vendimet e tij të rëndësishme. Kongresi i Lushnjes, vendosi me unanimitet, rrezimin e qeverisë së Durrësit, dhe caktoi delegatët për në Konferencën e Paqes në Paris.
Në qeverinë e dalë nga Kongresi i Lushnjes, kishte edhe frashërllinj që u zgjodhën ministra, si Eshref Frasheri, minister i Luftës, mik i Seit Frasherit. Në po atë Kongres, u vendos edhe fati i Tiranës, për të qenë përfundimisht kryeqyteti i Shqiperisë. Fill pas përfundimit të Kongresit, grupimet e mbrojtjes së tij, u falenderuan nga ministri i ri i Brendshëm Ahmet Zogu, i cili u deklaroi atyre “mbështetjen e pakufishme për kontributin, duke i siguruar mbështetje në komunat dhe prefekturat nga vinin”. Porsa u kthye në Frashër, Seit Frashëri, u prit si Hero, bashkë me trimat e tjere, dhe pas 1 viti zgjidhet Kryeplak i fshatit me 540 shtepi. Seit Frashëri ishte mbeshtetes i Ahmet Zogut (zogist), dhe ka mbajtur edhe postin e kryetarit të Komunës Frasher për shumë vite.
Gjatë periudhës së luftës italo-greke, Seit Frashëri, mbajti qendrim të ashpër ndaj ushtrisë helene, që zaptoi Frasherin. Në takimin me një Kolonel i quajtur Anastas (sipas rrëfimeve të dajës tim Ylli Skenderi) në Frashër, Seiti i kërkoi atij jo vetëm “ndalimin e hakmarrjes ndaj banoreve të Frashërit, por edhe fshatrave të tjera të Dangëllisë”. Shumë shpejt Seiti u bë mik edhe me grekët, të cilët kur u larguan pas sulmit nga Hitleri mbi Greqi në 1943, i lanë atij gjithë materialet luftarake dhe shëndetsore.
Pak shumë është folur për mbështetjen e madhe që dhanë frashërllinjtë, për Kongresin e Lushnjes, për ata burra trima , që ngjeshëm armët dhe lanë vatrat e tyre, për t’ju bashkuar kësaj ngjarje të madhe të historisë kombetare.