Më shumë se 49 mijë thirrje për ndihmë mjekësorë janë drejtuar në Urgjencën Kombëtare që prej 1 janarit. Ekipet e urgjencës kanë realizuar rreth 15 mijë vizita në banesë.
Drejtuesi i kësaj qendre Skënder Brataj në një intervistë për Euronews Albania thotë se një pjesë e mirë e thirrjeve janë si pasojë e shqetësimeve të shkaktuara nga situata gripale.
“347 vizita është mesatarja e vizitave në banesë, që do të thotë që ka prezencë të sëmundjeve infektive dhe gripale”, Skënder Brataj Drejtor i Urgjencës Kombëtare.
Por cilat janë shqetësimet që detyrojnë pacientët të kërkojnë ndihmën e urgjencës.
“Temperatura, kolla, dhimbjet, kur të dhemb çdo pjesë e trupit”,- Skënder Brataj Drejtor i Urgjencës Kombëtare.
Sa i takon situatës epidemiologjike, referuar thirrjeve në Urgjencën Kombëtare, Brataj thotë se shifrat janë të njëjta me një vit më parë.
Aktualisht në vendin tonë numërohen rreth 16 mijë persona në javë që paraqiten tek mjeku si pasojë e prekjes nga gripit. Sipas epidemiologëve kurba e infektimeve është në rënie, ndërsa më të prekur mbeten fëmijët.
/f.s