Gazeta britanike “The Guardian” i ka kushtuar një artikull romanit të Kadaresë, “E penguara”, që në gjuhën angleze mban titullin “Vajzë në ekzil”. Nën titullin “Një vajzë nën ekzil-të mësosh të jetosh me të vdekurin”, në shkrim thuhet se “melodrama, tragjedia dhe miti ndriçojnë marrëdhëniet në mes individit dhe shtetit në një roman të mirë të shkrimtarit shqiptar”.
“Kam provuar”, është shprehur Ismail Kadare në një intervistë të vitit 1998 për “Paris Review”, “të bëj një lloj sinteze mes tragjedisë së madhe dhe grotesku”. Në këtë (libër), për mirë dhe për keq, ai ia ka dalë mbanë.
Gazeta shkruan se Kadare është një shkrimtar që merret me gabimet e tmerret njerëzore, në stile dhe forma që dikush do t’i cilësonte të sintetizuara. Lindur në Shqipëri dhe me mbasi ka jetuar për një periudhë të konsiderueshme në Paris, ai është një nga ata shkrimtarë të rrallë me reputacion ndërkombëtar, që ka arritur të shmangë kurthet postmoderne të “letërsisë botërore”. Puna e tij mbetet vërtetë e veçantë dhe sfiduese. Kjo nuk e bën leximin të lehtë.
Kadare ka shkruar një fiksion të vështirë dhe shqetësues për shumë vite tanimë: romani i tij i parë u botua në Shqipëri në vitin 1963. Ngadalë, gradualisht, përkthimet në frëngjisht dhe në anglisht e kanë sjellë atë para një audience gjithnjë e më të gjerë. Në vitin 2005 ai fitoi çmimin “International Man Booker prize”. Vitin e kaluar u vlerësua me çmimin prestigjioz “Jerusalem Prize”. Ai është përmendur disa herë si nobelist i mundshëm.
Librat e tij – dhe unë i gjykoj ata kryesisht në bazë të përkthimeve dhe përkthimeve nga përkthimet, zakonisht nga frëngjishtja prej shqipes origjinale – janë të çuditshëm, por obsesiv dhe përsërisin shqetësimet e tyre.
Në veçanti, Kadare kthehet vazhdimisht për të eksploruar mënyrat në të cilat tragjedia klasike dhe miti, brenda natyrës së besnikërisë dhe tradhtisë, si dhe detyrat e obligimet e individit ndaj shtetit, mund të veprojnë nën regjimet bashkëkohore. Ka pasur triumfe të mëdha: si “Vajza e Agamemnonit” dhe “Pallati i ëndrrave”.
“Vajza në ekzil” është përkthyer nga shqipja prej John Hodgson, i cili ka përkthyer disa libra të Kadaresë. Në anglisht, Kadare tingëllon i saktë, si dikush që ka kërkuar dhe shumëkërkuar për fjalën e duhur.
“Vajzë në ekzil” është një libër që të mëson të jetosh me të vdekurin dhe me vdekjen, me hijen dhe me humbjen. Është rreth fantazmave që bezdisin njerëz, vende, shtete. “Asnjë dramaturg nuk kishte guxuar të bënte një shikim të tillë të fantazmës në mijëra vite. Kadare është një njeri i dyfishtë, që shkruan për dy vetvete të ndara”.
Mbi romanin
Shkrimtari i njohur irlandez, John Banville shkruante në prestigjiozen “Financial Times” një javë më parë si më poshtë për subjektin e romanit: “Personazhi kryesor, i cili nuk mund të quhet vërtet hero, është Rudian Stefa, një dramaturg shqiptar. Historia e tij zë vend midis viteve ‘80, kur regjimi i tmerrshëm i Enver Hoxhës ishte në kulmin e tij dhe afrimit të mijëvjeçarit, kur turmat e ngazëllyera tërheqin përgjatë rrugëve, statujat e rrëzuara të tiranëve. Ngjarja nis me Rudianin, i cili gjendet në një ngatërresë, megjithëse ai nuk e di se për çfarë bëhet fjalë, apo përse është përfshirë. Ekzistojnë dy arsye të mundshme përse e kanë thirrur, pa shpjegim, të paraqitet përpara Komitetit të Partisë: drama e tij e re, shfaqja e së cilës po pengohet nga censorët ose nga e dashura e tij e re në moshë, Migena, me të cilën ka pasur një grindje të rëndë, saqë në kulmin e saj, ai e goditi, megjithëse kjo skenë i kujtohet shumë turbullt dhe në inat e sipër, e akuzoi se ishte spiune. Në Shqipërinë e Hoxhës, të godisje një vajzë ishte një gjë, por të nënkuptoje se ishte agjente e shtetit, kjo ishte krejt tjetër. Megjithatë, kur ai mbërrin në zyrat qendrore të Komitetit të Partisë e pyesin për një vajzë tjetër, Linda B., e cila kishte kryer vetëvrasje dhe kishte një libër në të cilin ishte kushtimi i tij. Sërish, një vajzë që vret veten, për autoritetet nuk ka ndonjë rëndësi, por kjo vajzë ishte nga një familje e klasës së mesme, e cila ishte dënuar me internim, çka në Shqipëri do të thoshte krim. Qytetet ku i kishin dëbuar familjen për periudha pesëvjeçare, të cilat përsëriteshin vazhdimisht ishin nga ato vendet e neveritshme, për të cilat regjimi komunist ishte i specializuar dhe Linda B., e cila ndjente se jeta po i fikej, kishte mall për dritat e Tiranës. Ajo u fiksua pas Rudianit të famshëm, i cili ishte mishërim i emocionit dhe magjepsjes së botës intelektuale urbane. Megjithëse nuk e kishte takuar kurrë, por vetëm e kishte parë disa herë në televizor, ajo ushqeu një pasion për të. Ishte shoqja e saj e shkollës dhe njëkohësisht e dashura e Rudianit, Migena, që e bëri atë t’i kushtonte Lindës B., librin që do të bëhej guri i saj më i çmuar, hajmalia dhe në një mënyrë, pasaporta drejt një farë lirie. Kur ajo kuptoi se Migena kishte rënë në dashuri me Rudianin dhe ishte në një marrëdhënie me të, e pranoi këtë fakt, sepse megjithëse ndjente xhelozi, këtë ajo e shihte si një kontakt të drejtpërdrejtë me personin e saj të dashur: buzët e Migenës kishin prekur të tijat, duart e tij kishin ledhatuar gjoksin e saj…
BW