Nga Thoma Nika
VIRTUOZËT EDHE TË PËRLOTIN…
Artisti Limos Dizdari, i gjithëpranuar si “Kadareja i muzikës”, nuk mund t’i mungonte homazhit të dhënë me tinguj për jetët dhe strehët e humbura, për shkak të tërmetit. Ky homazh dhe solidaritet prej tij dhe pianistes po aq famoze, Adriana Dizdari, na erdhi këtë të diel, kur humbja ende ther.
E dha në Teatrin e tij, që mban emrin “Dafinat”, si për të nënvizuar paqen që na duhet të gjithëve dhe lavdinë e atyre pianistëve të rinj, nga Ksamili apo Saranda, që ai i quan VIRTUOZË. Kuptojmë që, për Dizdarin, i cili është sa i talentuar, po aq edhe modest, kjo është një “dalje” nga vetja. Por sërish kuptojmë se ai nuk e bën këtë për të çmuar veten, por për të kalibruar saktësisht atë çfarë janë muzikantët, që çifti Dizdari i përgatit ardhmërisë së muzikës shqiptare.
Teksa prezanton hyrjen në skenë të Ana Hasanit, njerës prej vajzave që ka parasysh kur flet për VIRTUOZË në Ksamil, Prof. Limosit i rrokullisen ca sumbulla loti. Ai e di se kjo nuk do t’i falej asnjë moderatori apo prezentatori tjetër. Atij të gjithë ia falëm dhe ia kuptuam përmbajtjen e asaj pike loti, që i njomi sytë. Përmbajtja e tyre është ngazëllimi për atë pianiste të re, që ka përgatitur në stekën e VIRTUOZËVE të të gjithë rruzullit. Me finesën skenike dhe me sigurinë për të luajtur Klajderman, ajo edhe vetë Klajdmanin do ta kishte ngazëllyer. Tastiera e pianos thjesht i bindet lëvizjes së gishtave dhe mbajtjes së ritmit prej saj. Droja e muzikantit të madh për ta cilësuar Anën një VIRTUOZE, vinte se mos prezantimi si e tillë, përpara se të ulej para pianos, mund t’i prishte punë. Por ai nuk mund të mos i bindej bindjes që ka dhe ngazëllimit prej këtij fruti, që shkruhet “talent plus punë”.
Profesori thotë se VIRTUOZËT lëvizin dhe janë të ndryshëm.
Ka VIRTUOZË në Paris, në Londër, në Moskë, Newyork a gjetkë. Por, pa pikë droje dhe i sigurt se nuk po bën asnjë hiperbolë, thotë se VIRTUOZËT janë tani edhe në Ksamil. Limosi thotë se nuk ka vetëm një Anë në këtë standart. Na flet për 9 apo 10 nxënës pasionantë e të talentuar për muzikë e në tastierën e pianos, që nuk i lënë asgjë mangut një VIRTUOZI. Kënaqësisë muzikore të ditës së sotme i shtoi edhe lajmin surprizë: një 54-vjeçare gjithashtu ndjek seancat muzikore në piano në Qendrën “Dea” në Ksamil. Pjesë e surprizës është se edhe ajo po tregon se është gati në një hap dhe “club”me VIRTUOZËT E KSAMILIT.