Ka shumë pak vende që mbeten ende sekrete në Evropë. Jeni duke kërkuar për një destinacion pushimi ende të pacënuar? Ne ju sugjerojmë Shqipërinë, shkruan Rosanna Carrizzo në një artikull të botuar në të përditshmen italiane “Wom Travel”.
Bregdeti shqiptar së shpejti do të bëhet një tjetër destinacion i madh veror, por tani për tani ju mund të shijoni plazhet spektakolare të pacenuar dhe detin bruz.
Shqipëria është ende një destinacion i panjohur, pavarësisht pozicionit të shkëlqyer të vijës bregdetare të lagur nga deti Adriatik dhe Jon.
Ja arsyet që do t’ju bëjnë të zgjidhni Shqipërinë për udhëtimet tuaja të ardhshme verore.
Plazhet në Shqipëri
Plazhe me rërë, gjire të izoluar dhe një det që duket pothuajse si Karaibet.
Bregdeti i thyer i Shqipërisë, i karakterizuar nga fshatra tradicionalë të strehuar në gjire të largëta, është një nga zbulimet e viteve të fundit. Ju mund të udhëtoni në jug dhe të vizitoni Rivierën Shqiptare ku do të gjeni plazhe dhe gjire magjepsëse.
Mbi 300 kilometrat e bregdetit të Shqipërisë lagen nga deti Adriatik dhe deti Jon.
Plazhet e bregdetit të Adriatikut janë me rërë dhe me ujë të cekët, vendi i përsosur për të shkuar në breg të detit me fëmijët.
Bregdeti i Adriatikut shtrihet nga kufiri me Malin e Zi në veri, deri në gjirin e Vlorës, ku fillon deti Jon.
Ndër plazhet më të bukura janë ato të Velipojës, Shën Gjinit, Durrësit, Golemit, Spilles, Divjakës dhe Vlorës.
Duke udhëtuar përgjatë bregdetit mund të vizitoni edhe lagunat, rezervatet dhe ekosistemet e tjera natyrore.
Sapo kalon malin e Llogarasë, në një lartësi prej rreth 1000 metrash, përballë gjendet një panorame mahnitëse e Rivierës Shqiptare, e përbërë nga plazhe, peizazhe të gjelbërta dhe një det blu intensiv, i cili dominon skenën.
Në këtë cep të parajsës deti Adriatik takohet me detin Jon. Pikërisht, përgjatë bregut të Jonit do të gjeni detin më të bukur dhe nuk e ekzagjerojmë kur themi se duket si deti i Karaibeve.
Këtu bregdeti i thyer ofron pamje natyrore mahnitëse, gjire të pacenuar, male të gjelbra që shtrihen drejt plazheve me rërë dhe guralecë apo drejt shkëmbinjve të lartë që bien në detin blu.
Shtrirja e bregdetit shkon nga Vlora në Sarandë dhe përshkon Parkun Kombëtar të Qafës së Llogarasë.
Në këtë cep të parajsës do të gjeni edhe shpella të shumta detare perfekte për ata që e duan ecjen dhe zhytjet në ujë.
Ndër plazhet më të bukura në bregdetin e Jonit përfshijnë Dhërmiun, Jalën, Himarën, Qeparon, Borshin, Sarandën dhe Ksamilin.
Pushime në Shqipëri? Ku të shkoni?
Bregdeti në jug ofron peizazhe piktoreske, nëse doni të planifikoni një itinerar për të zbuluar Shqipërinë.
Mund të ndiqni itinerarin nga Durrësi në Sarandë, itinerari është 250 kilometra dhe mund të vizitoni qytete, fshatra, plazhe dhe gjire të mrekullueshëm.
Një itinerar tjetër është ai që shkon në veri nga Durrësi deri në kufirin me Malin e Zi. Përgjatë kësaj shtrirjeje bregdetare do të hasni gjirin e Lalëzit, i vendosur midis Kepit të Rodonit dhe Bishtit të Pallës.
Mos humbisni një ekskursion në Kepin e Rodonit , një kep i madh, një kryevepër natyrore që del në det, ku mund të arrini duke ndjekur tabelat për Durrës, këtu do të gjeni mbetjet e një kështjelle që patjetër duhet ta vizitoni.
Gjithashtu në këtë zonë, mos humbisni një vizitë në lagunën e Rushkullit, këtu do të gjeni duna ranore, bimësi tolerante ndaj kripësisë, fusha, pyje me pisha dhe ligatina.
Plazhet e Durrësit janë më të ngarkuarit në të gjithë vendin dhe janë perfekte për ata që vendosin të shkojnë në bregdet me fëmijët.
Por, nëse doni të gjeni detin më të bukur dhe piktoresk, shkoni në jug, përgjatë asaj shtrirje të bregdetit të njohur si Riviera Shqiptare dhe zbuloni plazhet më të bukura nga Vlora në Sarandë.
Mos humbisni një vizitë në Parkun Kombëtar të Llogarasë, nëse ju pëlqejnë ecjet dhe ekskursionet është vendi i përsosur për ju. Ndodhet rreth 30 kilometra në jug të Vlorës.
Duke ecur përgjatë shtigjeve të shënuara, do të gjeni edhe ambiente për t’u hedhur me parashutë.
Një shëtitje e bukur do t’ju çojë në qafën e Llogarasë, një nga pikat më të larta të Parkut Kombëtar, ku pamja është e pashembullt dhe shtrihet mbi plazhet në detin Jon.
Ndaloni për të vizituar Apoloninë, një nga qytetet më të vjetra në Shqipëri.
Duke shkuar në jug, ndaloni në Vlorë, një nga portet natyrore më të famshme në vend, në skajet e të cilit ndodhet ishulli i Sazanit.
Vlora është një nga qytetet historike shqiptare, në fakt lindja e saj daton në shekullin e XI para Krishtit, pranë qytetit ndodhet plazhi i Jalës, një plazh i bukur, i izoluar dhe i qetë.
Dhërmiu ndodhet pak më në jug dhe është një nga vendet turistike më të frekuentuara në të gjithë bregdetin.
Jo shumë larg plazhit të Dhërmiut mund të vizitoni Shpellën e Piratëve, me varkë ose traget.
Një nga plazhet më të bukura në këtë shtrirje të bregdetit është Gjipeja, e cila ka një formë të bukur, këtu shkëmbinjtë e thepisur bien në detin bruz.
Pranë këtij plazhi ndodhet një lumë ku ndodhen kanionet e mahnitshme. Këtu ia vlen të vizitohet fshati Vuno.
Gjithashtu, ju rekomandojmë një vizitë në Himarë, një nga qendrat më të mëdha në zonë. Në itinerarin tuaj drejt Sarandës mos humbisni gadishullin e Porto Palermos, ku do të gjeni mbetjet e një fortese të ndërtuar nga Alì Pasha, si dhe detin spektakolar, shkëmbinj dhe një port të vogël të përdorur nga sovjetikët për të fshehur nëndetëset e stacionuara në Adriatik.
Borshi është një nga zonat e bukura të Rivierës Shqiptare dhe ka një shtrirje bregdetare të karakterizuar nga agrume dhe ullishte, në këtë shtrirje bregdetare do të gjeni plazhin e Bunecit.
Qyteti i Sarandës ndodhet vetëm 9 kilometra nga ishulli grek i Korfuzit. Në këtë zonë mos humbisni një vizitë në plazhin e Ksamilit ku gjenden katër ishuj të vegjël të mbuluar nga bimësia mesdhetare. Nga Saranda mund të niseni për një ekskursion në rrënojat e Butrintit.
/a.r