Rrugët e Shqipërisë rezultojnë që të jenë më të mirat në rajon sa i përket cilësisë së tyre. Në këtë konkluzion kanë dalë Specialistët e Pozicionimit Global (Global Positioning Specialists), me bazë në Mbretërinë e Bashkuar.
Në studimin e tyre të titulluar “Vendet më të rrezikshme për të qenë shofer”, janë përfshirë cilësia e rrugëve, numri i vdekjeve në rrugë dhe statistikat e krimit të automjeteve motorike.
Studimi merr në analizë 60 shtete dhe vlerësimi i cilësisë së rrugëve varion nga 1, që nënkupton rrugë ekstremisht të pazhvilluara në 7 që konsiderohet rrugët më efficente dhe si rrjedhojë janë mes më të mirave në botë.
Sa i përket Shqipërisë, nga studimit rezulton se vendi ynë renditet në vendin e 33 mes 60 vendeve të marra në analizë. Ky raport e ka vlerësuar cilësinë e rrugëve në Shqipëri me 3.9 pikë.
Krahasuar me vendet e rajonit, Shqipëria lë pas Serbinë, cilësia e rrugëve të së cilës vlerësohet 2.9 duke u renditur në vendin e 44.
Po ashtu, Shqipëria lë pas edhe Maqedoninë e Veriut, cilësia e rrugëve të së cilës vlerësohet me 3.4. Në studim nuk janë përfshirë vendet e tjera të Ballkanit Perëndimore.
Ndërkohë, në krahasim me vendet europiane, Shqipëria renditet shumë pranë Italisë dhe Greqisë, cilësia e rrugëve të së cilave është e njëjtë, me vlerësimin 4.3.
Në vend të parë në këtë renditje të cilësisë së rrugëve janë Emiratet e Bashkuara Arabe me 6.6, Austria me 6.3 dhe Singapori me vlerësimin 6.1 për cilësinë e rrugëve.
SCAN TV /a.r