Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu deklaroi se ka 16 vite që pret të merret në pyetje, por Prokuroria nuk po e bën. Në një prononcim për mediat, para nisjes së seancës gjyqësore ndaj tij, ai kërkoi nga dëshmitarët që të mos heshtin, por të thonë të vërtetën.
“I bëj thirrje që gjithsecili të vijë dhe të mbajë qëndrimin për të drejtën e tyre dhe të mos zgjedhin pozicionin e heshtjes. Do të ishte më mirë që me dëshmitë e tyre të hedhin dritë për të shmangur çdo manipulim që është bërë nga grupe apo interesa të ndryshme politike. Unë kam pritur mbi 16 vite të pyetem nga Prokuroria, dhe Prokuroria e ka pasur të gjithë mundësinë të pyesë po asnjëherë nuk ka denjuar të pyesë”, tha ai.
Ish-ministri Mediu po gjykohet në GJKKO për dy akuza, atë të “Shpërdorimit të Detyrës” dhe “Shpërdorim i detyrës në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues”.
Në seancat e zhvilluara së fundmi kanë dëshmuar një sërë dëshmitarësh, ndërsa të tjera dëshmi priten të dëgjohen gjatë kësaj seance.
Po ashtu, SPAK ka kërkuar edhe dëshminë e ish-sekretares së Aldo Bumçit, Anjolla Agolli. Ndërkohë u përsërit thirrja për të bashkëpandehurit e tjerë mes tyre Luan Hoxha, Dritan Minxolli dhe Mihal Delijorgji të cilët nuk janë gjetur në adresat e deritanishme të çuara në gjykata. Gjykata informoi se Ministria e Drejtësisë ka dërguar letërporosinë në SHBA për të marrë në pyetje, Patrick Henry dhe përfaqësuesit e kompanisë SAK. Prokurori i SPAK kërkoi në seancën e radhës se nëse do të jetë gati mund të pyetet edhe Mediu në cilësinë e të pandehurit. Ky i fundit tha për mediat se për këtë çështje do të komunikonte me avokatët. Dëshmitari i fundit Ilmi Laçaj refuzoi të jepte deklarime.
/a.r