Agim Çerma, narkotrafikanti 54 vjeçar nga Elbasani, i cili u arrestua në Kolumbi në korrik të vitit 2021, është dënuar me 20 vjet burg nga një gjykatë amerikane. I njohur ndryshe me nofkën “Jimmy”, 54-vjeçari shqiptar me banim në Kolumbi, u dënua me 240 muaj burg pasi u deklarua fajtor për rolin e tij në trafikun e kokainës përmes avionëve të regjistruar në SHBA.
“Trafikimi ndërkombëtar i drogave të paligjshme përfaqëson një kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë e qytetarëve të Shteteve të Bashkuara dhe ky hetim dhe ndjekje penale çmontojnë një operacion që planifikoi të trafikonte qindra kilogramë kokainë jashtë Kolumbisë”, tha prokurori amerikan Steinberg në gjykatë.
Siç përshkruhet në dokumentet dhe dëshmitë e gjykatës, në vitin 2020 Administrata e Zbatimit të Drogës, duke punuar me agjencitë e zbatimit të ligjit në Kolumbi, identifikoi individë të përfshirë në shpërndarjen e drogës në shkallë të gjerë. Hetimi përcaktoi se Cerma dhe të tjerët po planifikonin dhe bashkërendonin prodhimin dhe transportin e qindra kilogramëve kokainë nga Cali, Kolumbi, në Evropë nëpërmjet një avioni të regjistruar në SHBA, duke shpresuar se regjistrimi i SHBA-së do të shmangte kontrollin shtesë të dhënë ndaj avionëve me flamur kolumbian.
Skema përfshinte pagesën e punonjësve të korruptuar të aeroportit, prodhimin e më shumë se 300 kilogramë kokainë nga një laborator në Kolumbi dhe pagesat për organizimin dhe ekzekutimin e skemës në rreth 300,000 dollarë në monedhën amerikane. Hetimi zbuloi se Cerma ishte drejtuesi i organizatës së trafikut të drogës dhe komplotet me të bashkëpandehurit për të eksportuar kokainën duke përdorur një avion të regjistruar në SHBA.
Autoritetet e zbatimit të ligjit në Aeroportin Ndërkombëtar Bonilla Aragon në Cali më vonë sekuestruan valixhe që përmbanin afërsisht 330 kilogramë kokainë të destinuara për një avion që udhëtonte për në Evropë.
Çerma u arrestua në Kolumbi në korrik 2021 dhe u ekstradua në Shtetet e Bashkuara në shtator 2023. Katër të bashkëpandehur kolumbianë gjithashtu u ekstraduan në Shtetet e Bashkuara dhe tre prej tyre kanë pranuar fajësinë në Gjykatën e Qarkut të SHBA: Jairo Fernando Cardona Lopez, 52 vjeç , është dënuar me 175 muaj burg; Edwin Durlandy Montilla Gonzalez, 39 vjeç, është dënuar me 150 muaj burg; dhe Pedro Antonio Penagos Londono, 47 vjeç, është dënuar me 48 muaj. Bashkëpandehuri i katërt, William Cruz Perez, 67 vjeç, është në pritje të gjyqit dhe prezumohet i pafajshëm nëse dhe derisa të provohet fajësia në gjykatë.
Agim Çerma rezulton i dënuar në Shqipëri me burgim të përjetshëm për vrasje me dashje. Vendimi është marrë nga Gjykata e Elbasanit në vitin 1998 për vrasjen e Gëzim Liçit dhe plagosjen e efektivëve të policisë.
Ngjarja ka ndodhur në 1997-ën në Elbasan, ndërsa në atë kohë, bashkë me Agimin u arrestua edhe i vëllai i tij, Gazmend Çerma, si dhe disa persona të tjerë. Gazmend Çerma u dënua me 11 vite burg nga Gjykata e Shkallës së Parë në Elbasan. Vendimin e ankimoi në Apelin e Durrësit, por kërkesa iu refuzua.
Në ankimim ai ia kalonte përgjegjësinë të vëllait Agimit, duke argumentuar se nuk kishte dijeni se i vëllai kishte armë me vete dhe se do të kryente vrasjen. Të njëjtin veprim ka kryer edhe Agim Çerma duke ankimuar dënimin përjetë. Kjo kërkesë i është refuzuar nga Apeli i Durrësit dhe Gjykata e Lartë. Ndërsa Kushtetuesja ia kaloi Shkallës së Parë në Elbasan për rigjykim.
Kjo e fundit ia kaloi Gjykatës së Lezhës, pasi dënimin, Agim Çerma po e kryente në burgun e Shënkollit. Referuar të dhënave të gjeneruara nga sistemi i kësaj Gjykate, Agim Çerma, në vitin 2012 është liruar me kusht në rrethana ende të paqarta. Lirimi i tij mban firmën e gjyqtares Parashqevi Ademi. Në 2015-ën, Ademi është arrestuar për korrupsion dhe shpërdorim detyre. Ndërsa ish Gjykata e Krimeve të Rënda e dënoi me 4 vite burg.
Pasi la qelinë, Agim Çerma eshte larguar drejt vendeve të Europës dhe më pas në vendet e Amerikës Latine ku është përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës. Përgjatë viteve të fundit, policia shqiptare me anë të letërporosive u kanë kërkuar informacion autoriteteve të huaja për Çermën, pasi edhe në vendin tonë ai dyshohej si i përfshirë në një grup kriminal që merrej me trafikun e drogës./m.j