Hulk Hogan fiton betejën ligjore ndaj portalit të famshëm amerikan “Gawker” për publikimin e një videoje seksuale të tij. Vendimi është dhënë nga një Gjykatë në Florida, ku Hulk Hogan, emri i vërtetë i të cilit është Terry Bollea, do të përfitojë 115 milionë dollarë dëmshpërblim. Ky rast vuri përballë lirinë e shtypit ndaj jetës private të një personi të famshëm, ku fitues doli ish-keçisti i famshëm amerikan. Videoja ishte postuar në vitin 2012, pasi Hogan ishte regjistruat fshehurazi duke kryer marrëdhënie seksuale me gruan e mikut të tij.
Avokatët mbrojtës të “Gawker” argumentuan se pavarësisht se videoja mund të ketë përmbajtje të palejuar, koncepti i lirisë së shtypit duhet mbështetur. Në anën tjetër, avokatët e Hogan thanë se dy personat në video nuk janë kontaktuar nga përfaqësuesit e portalin në fjalë para se videoja të bëhej publike. Pas leximit të vendimit të jurisë, Hogan shpërtheu në lot. Përfaqësues të “Gawker” thanë se do ta apelojnë çështjen, por sipas ligjit në Florida, ata duhet të shlyejnë dëmin monetar.