Edhe pse ka tre organizma kontrolli të pyjeve, Ministria e Mjedisit pretendon se nuk i kontrollon dot abuzimet duke zgjedhur një instrument shumë më të thjeshtë: Moratoriumin. Por, sapo ligji ka hyrë në fuqi, kanë filluar të shfaqen problemet e para. Fabrikat e peletit dhe minierat pritet të goditen, ndërsa tregtarët pretendojnë se ata që kanë abuzuar me pyjet do të vijojnë me abuzime.
Sejdin Zëre, prej pak më shumë se një viti, ka investuar 1.1 milionë euro në një fabrikë të prodhimit të peletit të drurit. Ende pa arritur të punojë siç duket, ai dërgoi në shtëpi 16 të punësuarit e tij. Gjatë javës së kaluar kur ne e kontaktuam, sapo kthehej nga zyrat e sigurimeve shoqërore, ku kishte çregjistruar punonjësit e tij.
Arsyeja është Moratoriumi për pyjet. Në pamje të parë, industria nuk ka lidhje direkte me drurët e rinj e të shëndoshë në pyje. Peleti, prodhohet nga mbetjet e pyllit dhe mbetjet e tjera të industrisë së mobilierive etj. Por Zëre është i bindur se së shpejti edhe këto burime do të shterohen.
Në vend numërohen rreth 10 fabrika e punishte të prodhimit të peletit të drurit, një lëndë jo shumë e konsumuar tek ne, por që ka gjetur treg shumë të mirë në Itali.
Nuk përjashtohen pikëpyetjet se fabrikat që instalohen në Librazhd, apo zona të tjera pyjore, mund të shfrytëzojnë padrejtësisht edhe pyllin, po fundja a nuk është përgjegjësi e disa inspektorateve (siç do të shohim në brendësi të artikullit) të sigurojnë respektimin e ligjit për pyjet?! E nëse kjo është e pamundur, si në shumë raste të tjera, pse qeveria shqiptare duhet të promovojë investimet në këtë sektor.
Rreth një vit e gjysmë më parë, drejtues të qeverisë inauguruan një fabrikë në Korçë, të mbështetur në mënyrë indirekte nga qeveria. Krahas një pjese investimi (të siguruar nga fonde të tjera apo kredi), kompania u financua me grant nga fondi i konvertimit të borxhit italian. (Një borxh të hershëm të qeverisë italiane ndaj nesh, që po shlyhet në formën e investimeve tek ne).
A duhet zhvilluar apo jo kjo industri?! Një studim i Ministrisë së Mjedisit, apo edhe Ekonomisë mund të kishte ndihmuar në këtë drejtim. E sigurt është që një lloj biznesi i tillë është shumë i zhvilluar në rajon, e në veçanti në Kosovë.
Pelet, sytë nga rajoni
Rajoni është alternativa e sipërmarrësve të rinj të peletit të drurit në Shqipëri. Disa prej biznesmenëve të kontaktuar nga ‘Monitor’ thonë se do të shohin mundësinë e importit të materialeve nga Maqedonia apo Mali i Zi. Nëse kostot nuk janë të leverdishme, sipërmarrësit thonë se do të zhvendosin atje makineritë.
Moratoriumi i pyjeve, “surprizë” për minierat
Krahas krizës që u kanë shkaktuar çmimet e ulëta, minierat pritet të përballen me një tjetër pengesë. E vogël në dukje, por jetike për këtë lloj biznesi, lënda drusore është e rëndësishme për ndërtimin e minierave. Ligji duket të ketë qenë një surprizë edhe për Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë. Zëvendësministri i industrisë, Gëzim Musabelli, e thekson këtë si një problem që duhet zgjidhur, për pjesën e minierave, pasi sipas tij, “pa lëndë drusore nuk ka zhvillim të minierës”.
Një alternativë sipas ministrisë është importi i drurit, por drejtuesit e ministrisë druajnë se do të përballen me një pengesë të madhe. Krahas faktit se druri i importuar mund t’u kushtojë më shtrenjtë sipërmarrësve të minierave, ka edhe pengesa të kushteve teknike. Lënda drusore duhet të jetë e njomë, sipas ekspertëve, çka detyron prerjen në vend të drurit dhe jo importin e tij.
Një pengesë, ndoshta e pamenduar nga Ministria e Mjedisit, rrezikon të nisë “arnime” në ligjin e Moratoriumit, ende pa filluar të zbatohet ky i fundit. Drejtuesit e Ministrisë së Energjisë thonë se do të shikojnë mundësinë e zgjidhjes së kësaj pengese të lindur së fundi. “Një variant është ai i angazhimit të dy-tre kompanive, të cilat nën kontroll të rreptë furnizojnë me dru minierat”, thotë zëvendësministri Musabelli.
Arnimet, apo edhe “grisjet” në ligj rrezikojnë të jenë të shumta. Pasi një tolerancë e pretendojnë edhe prodhuesit e peletit të drurit. Ato shpresojnë në ndonjë ndërhyrje të qeverisë, për të lejuar të paktën pastrimin e pyjeve. E domosdoshme është edhe prerja e drurëve për ngrohje. Edhe pse e lejuar prerja e druve për ngrohje në zonat malore, disa tregtarë paralajmërojnë edhe rritje të çmimeve të drurit për ngrohje, e së shpejti edhe për mobiliet e prodhuara me dru.
Ndalohet prerja e drurit për 10 vjet
Prej 11 shkurtit të këtij viti ka hyrë në fuqi Moratoriumi i Pyjeve. Ai do të jetë i vlefshëm për një periudhë 10-vjeçare. Ministria e Mjedisit e vlerëson si vendim historik për të ardhmen dhe zhvillimin e qëndrueshëm të pyjeve. Sipas ministrit Lefter Koka, zbatimi i këtij ligji kërkon pjesëmarrjen e të gjithë aktorëve. Ai e ka kërkuar këtë gjatë prezantimit të ligjit në komisionet parlamentare. Ministri Koka ka theksuar se “ligji synon të reduktojë ndërhyrjet mbi fondin pyjor, të degraduar si pasojë e mbishfrytëzimit dhe dëmtimeve të tjera dhe të rehabilitojë gjendjen e tij”.
Në bazë të këtij moratoriumi, ndalohet kategorikisht i) ushtrimi i veprimtarisë së shfrytëzimit të lëndës drusore në fondin pyjor publik/privat në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë; ii) tregtimi i produkteve të tij; iii) ndalimi i eksportit të lëndës së drurit të papërpunuar, lëndës së ndërtimit, drurëve të zjarrit si dhe i qymyrit të drurit.
Nga fusha e zbatimit të nenit 2 të këtij ligji përjashtohen: a) shfrytëzimi i lëndës drusore për plotësimin e nevojave të banorëve të bashkive për dru zjarri; b) rastet e ndryshimit të destinacionit të fondit pyjor dhe kullosor referuar legjislacionit në fuqi; c) shfrytëzimi i lëndës drusore për rigjenerimin, shëndetësimin e pyjeve dhe pastrimin e mbetjeve drusore.
Ky ligj pezullon të gjitha të drejtat ekzistuese për shfrytëzimin e fondit pyjor publik dhe privat, të fituara sipas procedurave ligjore në fuqi.
Shkeljet e ligjit, kur nuk përbëjnë vepër penale, përbëjnë kundërvajtje administrative dhe dënohen me gjobë, në vlerën 5 milionë lekë.
Moratoriumi i pyjeve
Pezullim 10-vjeçar për shfrytëzimin e pyjeve publik/privat dhe tregtimin e produkteve të saj
Ndalim i eksportit të lëndës së drurit të papërpunuar
Ndryshimet kryesore
Ndalohet shfrytëzimi i lëndës drusore në fondin pyjor publik/privat në të gjithë vendin
Ndalohet eksporti i lëndës së drurit të papërpunuar, lëndës së ndërtimit, drurëve të zjarrit, si dhe i qymyrit të drurit
Kundërvajtjet administrative gjobiten në vlerën 5 milionë lekë
Moratorium, baras dobësi
“Kërkoj nga ju që moratoriumi të shihet si emergjencë, për të ardhmen e vendit”, është shprehur ministri Koka në prezantimin e projektligjit. Argumenti kryesor i ndalimit të prerjeve për një dekadë rresht, është dëmi i shkaktuar ndër vite, për shkak të abuzimeve. Por sipërmarrës e specialistë pyjesh thonë se dëmet më të mëdha janë bërë në bashkëpunim ose në rastin më të vogël, në dijeni të pushtetit lokal. Vetë sipërmarrësit janë të bindur se ata që kanë abuzuar me pyjet deri më tani, do të vijojnë të abuzojnë sërish. Sipas tyre, “abuzuesit kanë përkrahjen e mbështetjen e përfaqësuesve vendorë”.
Koka: Ja gjendja e pyjeve
Në 2013-n, gjetëm një situatë ku pyjet tjetërsoheshin madje dhe nga vetë komunarët, pasi më duhet t’ju kujtoj se deri në këtë vit, rreth 60% e fondit pyjor kishte kaluar në varësinë e bashkive dhe të komunave. Por, mbi të gjitha, ky kalim i pjesshëm u bë në mënyrë kaotike me mbivendosje dhe harta të pasakta. Sasia e materialit drusor të shfrytëzuar që prej vitit 1945 e deri sot është 2-3 herë më e lartë sesa rritja vjetore natyrore e pyjeve. Prerjet masive ilegale pas viteve 1990 ishin në nivele shumë të larta, sipas ministrit Koka. Ne Komisionin e Veprimtarive Prodhuese, ministri ka theksuar se “nga viti 2004 deri në 2015, raportohen prerje ilegale me mbi 2.5 milionë metër katror në vit. Vetëm për periudhën 2007-2013, rezulton të kemi pasur një katastrofë të vërtetë mjedisore në sektorin e pyjeve. Janë prerë dhe djegur qëllimisht rreth 17% e fondit pyjor. Po në këto vite 2007 – 2013, qeveria shqiptare dha leje për ndërtimin e 435 HEC-eve. Këto HEC-e shpyllëzuan sipërfaqe të konsiderueshme pyjore dhe subjektet nuk patën asnjë marrëveshje me Ministrinë e Mjedisit për rehabilitimin e tyre. Sipërfaqja e pyllëzuar në total, nga 1990 deri në 2013 ishte në nivele të papërfillshme më pak se 2.7 mijë hektarë. Pra, vetëm 116 hektarë në vit. Impakti në mjedis është pothuajse zero. Sipas të dhënave të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, mbulesa e tokës në Republikën e Shqipërisë në 10 vjet nga 2002 deri në 2012 është ulur mbi 7%. Sipërfaqja e pyjeve në rang vendi në 10 vjet (2002 -2012) është tkurrur mbi 14%. “Trashëguam një inventar pyjesh të vitit 1985 me mangësi të theksuara në përditësim dhe vetëm këtë vit, pas plot 30 vitesh, ka filluar puna për të hartuar inventarin e ri të pyjeve që pritet të përfundojë brenda vitit 2017.
Çfarë bëri ministria, sipas saj…
Në dy vitet e fundit (2014-2015), Ministria e Mjedisit vëren se janë marrë masa për të ndërprerë “katastrofën” mjedisore. U ndalua tërësisht eksporti i qymyrit të drurit. U kufizua eksporti i drurit të papërpunuar. Në vitet 2010-2013 janë eksportuar mbi 18 mijë tonë qymyr druri. U ul sasia e lejuar e eksportit. Nëse gjatë viteve 2010-2013 u dhanë leje eksporti për 364 mijë metër kub lëndë drusore, për vitet 2014-2015 janë dhënë në total për 24 mijë metër kub, 15 herë më pak, ndërkohë që për vitin 2016 janë dhënë vetëm për 3 mijë metër kub.
Në vend nuk mungojnë disa institucione kontrolli. Është krijuar Inspektorati Shtetëror i Mjedisit dhe Pyjeve, Agjencia Kombëtare e Mjedisit dhe së fundi Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura. “Këto tre institucione përditë e më shumë performojnë në mënyrë cilësore” vëren ministri e Mjedisit.
ISHMP raportohet se në dy vjet ka bërë mbi 7,200 inspektime dhe në 70 raste janë bërë kallëzime penale. 6,200 metra kub lëndë drusore të sekuestruara. Vitet e fundit, ministria ka detyruar subjektet që operojnë mbi fondin pyjor (HEC-e, Miniera, karriera guri etj.) të zbatojnë ligjin për rehabilitimin e sipërfaqeve të marra në përdorim për shfrytëzim. Shumë prej kompanive lidhën me Ministrinë e Mjedisit marrëveshje, që të jenë edhe ato kontribuuese të asaj çfarë kanë dëmtuar.
Brenda këtij viti, Ministria parashikon të përfundojë implementimin e projektit për instalimin e kamerave termike në akset kryesore të transportit të lëndës drusore, duke pasur më shumë mundësi për kontroll të territorit, më shumë transparencë, por edhe në shumë raste më shumë mundësi për parandalimin e zjarreve të qëllimshëm.
Ministria e Mjedisit rendit disa ndërhyrje pozitive në pyjet e vendit, të cilat duket se nuk kanë arritur të shmangin moratoriumin. Ministri ka theksuar më parë, se janë investuar 800 milionë lekë në pyllëzime të reja, rehabilitime të zonave të degraduara dhe mbrojtje të pyjeve nga dëmtues biologjik. Sipas, shifrave të kësaj ministrie, është ulur ndjeshëm numri i lejeve të dhëna për shfrytëzim në fondin pyjor. Gjatë viteve 2005-2013 janë dhënë plot 2,676 leje shfrytëzimi, ndërsa dy vitet e fundit (2014-2015) janë dhënë në total 24 leje për shfrytëzimin e pyjeve, nga ku 9 nga këto për pyje private dhe vetëm 15 për pyje shtetërore kryesisht për të mbuluar nevojat e popullatës për ngrohje.
Në të njëjtën kohë, drejtuesit e ministrisë thonë se është ulur ndjeshëm shfrytëzimin vjetor i pyjeve. Për periudhën 2005-2013 mundësia vjetore e shfrytëzimit e miratuar nga Ministria e Mjedisit ka qenë mesatarisht 124,863 m³/vit, për vitet 2014-2015 ka qenë 32,200 m³./Monitor