Policia e Shtetit ka bërë ‘bilancin’ e operacioneve të realizuara në gjithë vendin. Në deklaratën për shtyp, policia thotë se operacioni ‘Tempulli’ ka çuar në pranga të 563 prodhues/shpërndarës të narkotikëve, si dhe sekuestrimin e rreth 800 kilogramëve droga të ndryshme dhe 15 armëve të zjarrit.
Sa i takon fazës së dytë, pra “Tempulli 2”, deri më tani ka çuar përpara drejtësisë 301 shtetas, ka goditur 11 grupe kriminale në fushën e narkotikëve, si dhe ka sekuestruar rreth 585 kilogramë droga të ndryshme (cannabis, kokainë dhe heroinë) dhe 12 armë zjarri. Policia ka bërë bilancin edhe të operacioni ‘Sundimi i Ligjit’ për muajin janar.
-u kapën 14 shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe 59 shtetas të shpallur në kërkim kombëtar;
-u sekuestruan 7 mina me telekomandë, gjatë operacioneve “Safe City”, “Neë Start” dhe “Brothers”, në Mirditë, Lezhë dhe Tiranë. Nëpërmjet këtyre operacioneve, Policia parandaloi ngjarje të rënda kriminale kundër personit. Ndërkaq, forca parandaluese e Policisë dhe reagimi i menjëhershëm për njoftimet e qytetarëve parandaluan dhe përshkallëzimin e 8 konflikteve, kryesisht: në familje, me mjete prerëse ose për motive pronësie.
-u sekuestruan 18 armë zjarri në të gjithë vendin dhe një arsenal në Fier, në kuadër të operacionit “Risku”, i përbërë nga: mitraloz, bomba dore, radio, GPS dhe nga një sasi e madhe municioni të kalibrave të ndryshëm;
-u finalizuan operacionet “Taksisti”, në Korçë dhe “Çikago”, në Tiranë, të cilat goditën veprimtaritë kriminale të trafikimit të cannabisit dhe armëve të zjarrit, nga Shqipëria në RMV ose nga ShBA në Shqipëri. 13.2 kg cannabis, 1 kallashnikov dhe 8000 euro u sekuestruan nga të dyja operacionet;
-u zbardhën 83 ngjarje kriminale, konkretisht: ✔79 vjedhje, disa prej tyre me dhunë ose me thyerje, ✔vendosja e eksplozivit në një banesë dhe në një biznes në Dibër, si dhe ✔2 raste të djegies së automjeteve në Tiranë;
-u goditën 14 raste të kontrabandës me mallra si: fishekzjarre, puro, bizhuteri floriri, celularë, bagëti, veshje dhe produkte të tjera;
-u goditën 15 raste të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, kryesisht baste sportive, në lokale;
-u evidentuan dhe goditën 71 raste të krimeve mjedisore, si: ndërtime të paligjshme, shpërdorim të tokës dhe prerje të paligjshme të pyjeve.
Ndërkohë, në Valbonë, mal të Korabit, Hot dhe në Kurbin iu dha ndihmë 7 shtetasve shqiptarë dhe të huaj, të cilëve iu rrezikuan jetët nga bllokimi për shkaqe të ndryshme.
Policia Rrugore dhe makinat inteligjente kanë qenë prezente gjatë këtij muaji, në të gjitha akset e vendit, me qëllimet e vetme: parandalimin e aksidenteve rrugore dhe lëvizjen e lehtësuar të përdoruesve të rrugës.
Si rezultat i punës parandaluese dhe monitorimeve të pandërprera:
Janë vënë në pranga 179 drejtues mjetesh, nga të cilët 137 për drejtim të mjetit në gjendje të dehur dhe 42 për drejtim të mjetit pa leje drejtimi.
Janë pezulluar 293 leje drejtimi, nga të cilat 124 për tejkalim të normave të shpejtësisë, 88 për drejtim mjeti, nën ndikimin e pijeve alkoolike dhe 81 për shkelje të tjera të Kodit Rrugor, për të cilat parashikohet kjo masë administrative.
Ndërkaq, Policia Kufitare ka goditur:
55 raste të kalimit të paligjshëm të kufirit;
6 raste të përdorimit të dokumenteve false për të kaluar kufirin;
8 raste të kontrabandimit të mallrave;
5 raste të braktisjes së të miturve.
/f.s