Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, ka reaguar në lidhje me pezullimin e 5 punonjëve të policisë të cilët kishin abuzuar me detyrën; Emin Harizi, dhe nënkomisarët Dritan Veliu, Vasillaq Thomanasto, Ervis Balla dhe Flatun Hoxha.
Balla shkruan se Agjencia e Mbikëqyrjes Policore falë bashkëpunimit me SPAK dhe me prokuroritë e jurisdiksionit të përgjithshëm po rrit forcën goditëse, për të çuar përpara procesin e vetë-pastrimit të Policisë së Shtetit
Reagimi i Ballës:
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore falë bashkëpunimit me SPAK dhe me prokuroritë e jurisdiksionit të përgjithshëm po rrit forcën goditëse, për të çuar përpara procesin e vetë-pastrimit të Policisë së Shtetit. Ditën e sotme janë goditur raste të abuzimit me detyrën të disa punonjësve të Policisë Rrugore në Fier.
Ju lutem qytetarëve dhe mediave të denocojnë çdo rast të abuzimit të punonjësve të Policisë me detyrën. Agjencia e Mbikëqyrjes Policore dhe agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit po rrisin vigjilencën dhe godasin me ashpërsi çdo përfshirje në veprime korruptive të punonjësve të Policisë së Shtetit.
Njoftimi i AMP:
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Fier-Berat), pas sigurimit të provave ligjore nga kryerja e hetimeve disa mujore me metoda speciale, ka ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ndaj 5 punonjësve të policisë, të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Shpërdorim i detyrës” dhe “Falsifikim i dokumentave”, si më poshtë vijon;
– Komisar E. H., me detyrë Shef Seksioni i Trafikut Interurban dhe Urban në DVP Fier, me masën e sigurimit personal me karakter ndalues “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit”.
– Nënkomisar D. V., me detyrë në kohën e kryerjes së veprës penale Specialist në Seksionin e Trafikut Interurban dhe Urban në DVP Durrës, me masën e sigurimit personal me karakter ndalues “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit”, aktualisht mban detyrën e Specialistit për Rendin, në Seksionin e Rendit Publik, në Komisariatin e Policisë Kukës, në DVP Kukës.
– Nënkomisar V. TH., me detyrë Specialist Shërbimi në Seksionin e Trafikut Interurban dhe Urban në DVP Fier, me masën e sigurimit personal me karakter ndalues “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit”.
– Nënkomisar E. B., me detyrë në kohën e kryerjes së veprës penale Specialist Shërbimi në Seksionin e Trafikut Interurban dhe Urban në DVP Fier, me masën e sigurimit personal me karakter ndalues “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit”.
– Nënkomisar F. H., me detyrë Specialist Shërbimi në Seksionin e Trafikut Interurban dhe Urban në DVP Fier, me masën e sigurimit personal me karakter ndalues “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit”.
Vendimi i Gjykatës erdhi në funksion të Procedimit Penal të vitit 2023, hetuar nga AMP për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”. Ky procedim është ndjekur duke përdorur metoda të posaçme të hetimit, nga ku u dokumentua me prova se punonjësit e policisë, gjatë kryerjes së detyrës funksionale, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kryenin falsifikimin e praktikave për ndjekjen e procedurave të mjeteve të shpallura “Alert”, duke paraqitur fakte të rreme dhe duke mos pezulluar lejen e drejtimit të shkelësve të Kodit Rrugor./m.j