Nga Artur Ajazi
Media pranë Rithemelimit, na paskësh arritur marrjen e një interviste me ish-zv.kryeministrin Arben Ahmetaj, diku në Zvicër, ku ai paskësh kërkuar azil politik. Ka 2 ditë që nuk pushojnë në oborrin e Rithemelimit, duke ripërsëritur “shpërthen Ahmetaj”… Sa qesharake.
Një mëkatar i shpallur në kërkim nga Policia e Shtetit, një ish-funksionar i cili po hetohet nga SPAK-u, shpallet “heroi i ditës në oborrin e Rithemelimit”. Si mund të mendosh, më keq akoma, të besosh, se duke i marrë intervistë një mëkatari, duke e prezantuar si “i penduar”, mund të fitosh kredo politike. Asnjë votë më shumë nuk mund të fitosh, duke intervistuar të hetuarit, të akuzuarit, apo dhe dënuarit e drejtësisë.
Ka qenë gjithmonë praktikë pune në PD, (që nga koha e Nanos) gjithmonë kur dikush nga PS-ja ikte si i dënuar, turreshin dhe e shpallnin “hero”. E merrnin nën mbrojtje, deri ditën kur humbisnin zgjedhjet e rradhës. Kjo natyrisht do të ndodhë edhe me Arben Ahmetajn.
E para, ish-zv.kryeministri duhej të ishte në Shqipëri, dhe të përballej me akuzat e SPAK-ut, të përballej me vendimet e gjykatave, dhe jo të strukej nëZvicës, ekranet dhe skutat e Rithemelimit. Ai nuk duhet ta mendojë se, duke dhënë intervista dhe duke “shpërthyer” në televizionin e Berishës, do të mund të marrë pafajësinë penale. Atë e jep drejtësia.
E dyta, duke ulur kaq shumë “piacën” e shfajësimit deri në daljen para kamerave të një televizioni që fabrikon akuza dhe denoncime, nuk mendoj se do të arrijë të bëhet i besueshëm para shqiptareve. Përkundrazi, shton dozën e pakënaqësive duke e bërë të besueshëm “malin” me akuza të ngritura nga SPAK. Dhe e treta, një grupim politik si Rithemelimi, që kapet pas çdo “fije bari”, nuk mendoj se mund të sigurojë kredo politike , aq më keq akoma, vota elektorale duke marrë “nën sqetull” ata që duhej të ishin para drejtësisë, dhe që fshihen skutave. As intervista tek televizioni Rithemelimit, dhe as azili politik,nuk mund ta shfajësojnë ish-zv.kryeministrin Ahmetaj.
I vetmi detyrim moral, veprim dhe hapi i duhur, do të ishte kthimi në Shqipëri, përballja me drejtësinë, me votuesit, me Partinë Socialiste apo dhe Edi Ramën, për të sqaruar akuzat. Të bëhesh me Sali Berishën (për inat të sime vjerre shkoj me mullixhinë) duke besuar se do të fitosh “pafajësinë”, është fatalitet. Ti japësh “oksigjen” Rithemelimit, duke shkelur mbi besimin dhe votën e atyre qindra e mijëra socilisteve që të votuan, apo dhe duke shkelur mbi kode morale njerëzore, krejtësisht për interesa personale, është e turpshme, për të mos thënë amorale.
T’i shpallësh “luftë mediatike” partisë tënde, kryeministrit tënd, votuesve të tu, vetëm e vetëm sepse akuzohesh për korrupsion, abuzime dhe shkelje ligjore sa ishe në postin e lartë, tregon mungesë formimi, besimi, dhe inteligjence. Në fakt, intervista ndoshta po qartëson “më mirë vonë se kurrë”, paktin e fshehtë të Ahmetajt me Berishën, apo edhe me dikë tjetër që ndodhet në selinë e Rithemelimit.