Aeroporti i Vlorës një prej investimeve strategjike për turizmin, po jetësohet në terren për t’u shndërruar në një nga aeroportet kryesor të vendit, i cili do të funksionojë me mbi 3 modele biznesi: aviacion civil, mirëmbajtje e avionëve, një kargo e mirëfilltë, e cila i mungon shtetit shqiptar.
Sipas njoftimit nga Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH), mësohet se kanë përfunduar punimet për shteresat asfaltike në rrugën që do të lidhë aeroportin ndërkombëtar të Vlorës me autostradën Fier-Vlorë.
Sipas ARRSH, bëhet e ditur se po punohet me shtrimin e linjave rezervë, linjave të ndriçimit dhe vendosjes së sinjalistikës vertikale provizore.
“Puna në këtë kantier po ecën me ritme dhe do të vazhdojë pa ndërprerje deri në përfundimin e plotë të këtij procesi”, njofton ARRSH.
E gjithë gjatësia e rrugës është 2.9 kilometra. Ka pasur një gjerësi prej 3 metrash, rrugë që shërbente vetëm për Akërninë. Tani ka kaluar në një kurorë 12 metra të gjerë dhe me 9 metra asfalt.
Aeroporti i Vlorës do të shtrihet në një sipërfaqe prej 297 hektarësh. Nga këto 16,000 m2 do të jetë zona e terminalit të pasagjereve. Parkingu i avionëve do të jetë 46,690 m2 nga të cilat 32,000 m2 do të jenë për 12 vendqëndrime avionësh dhe 2,000 m2 do të jetë sipërfaqja e shërbimit zjarrfikës.
Aeroporti i Vlorës është vetëm një ndër kantieret e shumta që sot po zhvillohen në qarkun e Vlorës dhe që do të kenë impakt të madh ekonomik jo vetëm për zonën, por për të gjithë vendin.
/f.s