Deputeti i Partisë Demokratike, Luan Baçi, deklaroi se opozita nuk po lufton kundër SPAK-ut si institucion, por asaj që ai e quajti “drejtësi selektive dhe spekulative”.
I ftuar në studion e “Ditarit”, në A2 CNN, Baçi u shpreh: “Nuk është luftë kundër SPAK-ut si institucion, pasi SPAK-u është votuar edhe nga Sali Berisha vetë, por një drejtësi selektive dhe spekulative do të anatemohet dhe do të kritikohet. Të izolosh liderin e PD-së i ke hequr zërin opozitës. Të gjithë njerëzit e lirë e kontestojnë këtë veprim të SPAK-ut, do të shkojmë deri në Gjykatën e Strasburgut”.
Kur u pyet a është i mjaftueshëm aksioni opozitar i përditshëm në “Rrugën e Shpresës”, siç është quajtur nga PD e Rithemelimit, Luan Baçi u përgjigj: “Ajo është një rrugë e madhe. Aty vijnë demokratë të zakonshëm, pa asnjë organizim, pa njoftime, në një orë të vonë dhe qëndrojnë në të ftohtë”.
Në lidhje me aksionin opozitar në Kuvend, Baçi theksoi: “Kemi nxjerrë më shumë sesa pritshmëritë që kishim. Nëse nuk do të kishim kundërshtuar fuqishëm veprimet e mazhorancës, ne nuk do të ekzistonim më si opozitë. Aksioni jonë nisi nga mohimi i të drejtave të opozitës nga ana e mazhorancës. Kjo mazhorancë e ka kthyer Parlamentin në noter me urdhër të kryeministrit. Ne duam t’i tregojmë ndërkombëtarëve që mazhoranca nuk reflekton dhe arrin puna deri aty sa futen vrimave për të bërë Reformën Zgjedhore. Ai është komision me anëtarë që vetëquhen opozitarë. Ne prandaj po rezistojmë, po flasim te ndërkombëtarët dhe qytetarët, për të treguar se po bëhet një lojë e pistë, duke bërë Reformë Zgjedhore në favor të mazhorancës”.
“Nëse mazhoranca i thërret mendjes, bën komision të Reformës Zgjedhore gjithëpërfshirës, jo me lojën e Lulzim Bashës, do të ketë ndryshim në aksionin tonë”, shtoi Baçi.
/f.s