Në Shqipëri numërohen rreth 180 shoqata dhe dhoma biznesi që lobojnë ndaj politikave të qeverisë, një shifër kjo e pa hasur në vende të tjera. Këto shoqata përfaqësojnë vetëm 10% të biznese në vend. Është kjo arsyeja pse qeveria po i rikthehet idesë për të shkrirë këto organizata dhe për të krijuar një Dhomë Ekonomike Kombëtare. Ministrja e Sipërmarrjes, Delina Ibrahimaj, gjatë një interviste në “E-ZONE” në Vizon Plus dha disa detaje nga nisma.
“Ka një mungesë të theksuar përfaqësimi. Në eksperiencën time si në Ministrinë e Financave edhe në Ministrinë e Sipërmarrjes është shumë e vështirë të evidentosh kush përfaqëson një sektor të caktuar. Sipas të dhënave vetëm 10% e bizneseve janë të organizuar në dhoma, pjesa tjetër është e papërfaqësuar”, u shpreh Ibrahimaj në “E-ZONE”.
Qeveria ka vendosur ta bëjë me detyrim anëtarësimin dhe pagesën vjetore. Sipas Ibrahimajt anëtarësimi me detyrim është një nga kushtet që dhoma të jetë eficente.
“Në radhë të parë biznesi i vogël do të ketë një pagesë simbolike, nuk është vendosur ende se sa do të paguajnë pasi jemi në diskutime. Nuk do të perceptohet si taksë, sepse do të jetë simbolike. Sa i përket biznesit të madh, ne do marrim modelet e vendeve të tjera, ku një nga skenarët është pagesa në bazë të xhiros. Do përcaktohen disa tavane, të cilat nuk do të tejkalohen për sa i përket pagesës vjetore”, sqaroi Ibrahimaj në emisionin “E-ZONE”.
Ministrja shpjegoi se kjo dhomë do të ofrojë disa shërbime, si: trajnimi për kualifikimin e fuqisë punëtore, asistence për bizneset në procesin e integrimit europian, nxitjen e eksporteve si dhe disa shërbime publike që do t’i delegohen. Drafti është ende në diskutim për të saktësuar se cilat janë këto shërbime.
/f.s